Zgjimi Islam Zejnepe Jakupi: Kjo është pyetja më e vështirë. Të gjitha përjetimet e jetës sime mund të përshkruhen fare lehtë, por, kënaqësitë që përjetova në Haxh janë të papërshkrueshme. Do mundohem në pika të shkurtëra të ju tregoj se si kam kaluar atje. Nga aeroporti i Prishtinës kemi ateruar në aeroportin e Medinës. Jemi vendos në hotelin“ Elyas Hotel” në Medinë. Çdo hap që bëja në atë vend, dëshira bëhej më e madhe për të qëndruar atje, kurse ndjenja kur kam parë për herë të parë xhaminë e Pejgamberit s. a. v. s., nuk krahasohet me asnjë ndjenjë tjetër. Ajo është mrekulli në vete. Këmbët s’ më mbanin e lotët s’ më ndaleshin kur kujtoja se më i Dashuri Ynë ka jetuar në atë vend. Atëherë ndihesha në piedestalin më të lartë të kënaqësive shpirtërore. Sa kemi qenë në Medinë kemi vizituar kodrën Uhud, varresat e shehidëve të Uhudit, xhaminë e Tebukut dhe xhaminë me dy kible, ku secila prej tyre të kujtonte një histori të Dërguarit tonë. Pas dhjetë ditë qëndrimi në Medinën e Ndritshme u nisëm për në Mekken e Bekuar. Gjatë rrugës u ndalëm në Mikat për të bërë nijet Haxhin. Në Mekke u vendosëm në hotelin“ Golden Manafea Hotel”. Atje filluan obligimet tona si haxhilerë. Për dallim nga Medineja, ndjenjat dhe emocionet në Mekke ishin edhe më të forta, sepse në atë moment që shihet Qabeja, përmallimi bëhet edhe më i madh. Këtë ma kujtonte edhe thënia popullore:” Sa më shumë që të pish ujë deti aq më i etur je”. Në ditën e parë që arritëm e bëmë Umren dhe u liruam prej ihramit. Pas tri ditëve përsëri kemi veshur ihramin, kësaj radhe për të kryer Haxhin. Shkuam në Arafat. Atje u vendosëm në tenda. Dielli na përcëllonte mbi kokë, por vullneti i madh dhe bindja ndaj Allahut xh. sh. na bënin të durueshëm e të qëndrueshëm. Në Arafat më kujtohej shumçka. Më kujtohej si Pejgamberi s. a. v. s., dhe gjithë të parët tanë, çfarë mundi dhe sakrifice kanë bërë për të kryer Haxhin, ndërsa ne sot me gjithë këtë komoditet që kemi? Me këtë rast e kujtova hadithin e Pejgamberit s. a. v. s.,:” Haxhi është Arafat”. Çdo besimtar vetëm pasi ta kryej Haxhin do ta kuptojë vlerën dhe domethënien e këtij hadithi. Pas Arafatit, dikur pas mesnate jemi nisur për në Muzdelife. Atje kemi qëndruar vetëm pak, kemi mbledhur gurët dhe jemi nisur për në Mina. Deri atje kemi shkuar në këmbë. Kur kemi arritur atje kemi gjuajtur gurët dhe ky ibadet ka vazhduar për tri ditë me radhë. Të nesërmen kemi kryer tavafin farz, dhe me këtë ka përfunduar Haxhi. Një ditë para kthimit kemi bërë tavafin lamtumirës dhe me këtë i kemi dhënë lamtumirën Qabesë. Nga Mekka shkuam në aeroportin e Xhiddes, e prej atje ateruam në Prishtinë. Këto ishin vetëm disa nga sekuencat më të rëndësishme që përjetova gjatë Haxhit. Lus Zotin xh. sh. që të na e ketë pranuar të gjithëve dhe që t’ ua mundësojë të gjithë muslimanëve kryerjen e Haxhit.
Zgjimi Islam: Përveç kënaqësive shpirtërore, a ka edhe diçka që ju keni përjetuar atje?
Zejnepe Jakupi: Pyetje shumë me vend. Përveç kënaqësive të mëdha shpirtërore kam kaluar jashtëzakonisht mirë. Jam takuar me njerëz të ndryshëm dhe kam përfituar shumë nga përvojat e tyre, e në veçanti nga shoqet e mia të dhomës. Kam mësuar aq shumë sa që thosha në vete:“ Unë nuk di asgjë”!
Zgjimi Islam: Kujt ia dedikoni sukseset e tua?
Zejnepe Jakupi: Së pari falënderimet i takojnë Allahut xh. sh., për sukseset e mija dhe të çdokujt, sepse pa ndihmën e Tij nuk do të arrija askund dhe asgjë. Pastaj, gjithmonë them: ato suksese nuk janë të mia realisht, janë sukses i prindit tim, hoxhës tim dhe kujdestarit tim në medrese. Pas Allahut xh. sh. sukseset e mija ia dedikoj këtyre tre personave sepse unë jam fryt i tyre, dhe se, pa ta unë nuk do të isha këtu ku jam sot. Po ashtu, përkrahje dhe ndihmë të madhe kam nga Dekanati dhe gjithë stafi akademik i këtij fakulteti, prandaj i falënderoj përzemërsisht. Nuk harroj të falënderoj në veçanti myftiun mr. Naim Tërnava dhe Bashkësinë Islame të Republikës Kosovës, pjesë e së cilës jemi të gjithë ne dhe pa të cilën nuk do të kishim vlerë si bashkësi fetare.
Zgjimi Islam: Cilat janë synimet tuaja në të ardhmen?
Zejnepe Jakupi: Siç e dini, në këtë vit jam absolvente dhe do të diplomoj, insha’ Allah. Pak a shumë kam menduar dhe jam konsultuar me të tjerët për temë të diplomës, por ende nuk ka diçka definitive. Pas përfundimit të F. S. I.-së shpresoj që nuk do ta lë me kaq, do të vazhdojë magjistraturën ose ndonjë fakultet tjetër.
Zgjimi Islam: Cili është mesazhi juaj për fund?
Zejnepe Jakupi: Dua që gjithë shqiptarëve kudo që janë t’ u uroj 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që e patëm pak ditë më parë, po ashtu i uroj Dekanatit, stafit akademik dhe gjithë studentëve të Fakultetit të Studimeve Islame akreditimin e fakultetit si dhe 20 vjetorin e themelimit të tij. Uroj që gjithmonë të shkojë mbarë dhe të nxjerrë kuadro të suksesshëm. Ju falënderoj edhe juve si redaksi e revistës që rezervuat disa faqe të revistës për mua. Në fund i këshilloj të gjithë të rinjtë të mos ndahen asnjëherë nga feja dhe librat, sepse këto janë çelësi i suksesit dhe i kënaqësive, dhe nuk bëjnë asnjëra pa tjetrën, sikurse ka thënë Albert Ajnshtajni:” Feja pa shkencë është e verbër, shkenca pa fe është e çalë”.
Intervistoi: Redaksia
7