Kjo gjë ndodh te disa njerëz, të cilëve Allahu i Madhëruar dëshiron që t’ ua tregojë disa gjëra para se të ndodhin. Për ta vërtetuar këtë ju mundëson që disa njerëz edhe ta shohin ëndrrën e njëjtë. Ëndrrat janë të vërteta aq sa njeriu është i sinqertë. Ëndrra më të vërteta sheh ai person që është më i drejtë në të folur, në të menduar dhe në të punuar, që ha ushqim hallall, i kryen obligimet fetare, bie në gjumë me abdes i drejtuar kah kibla dhe e përmend Allahun derisa ta zërë gjumi. Omeri r. a. ka thënë:“ A dëshironi t’ ju njoftoj për ëndërrimin e njeriut kur është duke fjetur? Në atë kohë shpirti i njeriut ngrihet kah qiejt dhe tërë atë që e sheh para se ajo të arrij deri te qielli, ajo është ëndrra jo e saktë, ndërsa ajo çka sheh me rastin e arritjes në qiell është ëndërr e saktë”. Muhamedi a. s., ka thënë:“ Ëndrrat më të vërteta janë ato që shihen para agimit”. Ibn Kajjimi el-Xhevzije thotë:“ Ëndrrat më të vërteta, janë ëndrrat që shihen para agimit, sepse para agimit është koha kur zbret Allahu, kur afrohet mëshira dhe falja, dhe kur struken djajtë”. Kjo do të thotë se nga gjurmët e mira që lë kjo kohë e begatshme, janë edhe ëndrrat e pastra dhe të sakta, që njeriu i sheh gjatë saj. E kundërta e kësaj është koha e akshamit, kur shejtanët janë aktivë dhe të shpërndarë, në kohën e perëndimit të diellit dhe në
kohën kur ka bubullima dhe të reshura me vranësira të frikshme. Muhamedi a. s., ka thënë:“ Ëndrra e bukur është prej Allahut, ndërsa ëndërrimi i keq është prej shejtanit. Prandaj, ai që sheh në ëndërr diçka që nuk i pëlqen, le të fryjë tri herë në të majtë dhe le të kërkojë mbrojtjen e Allahut nga shejtani dhe nuk do t’ i bëjë dëm asgjë dhe të mos ia tregojë askujt atë. Ndërsa ai që sheh ëndërr të bukur le të gëzohet dhe le t’ ia tregojë vetëm atij që e do”. Ëndrra e bukur ndjell gëzim dhe kënaqësi në zemrën e besimtarit dhe i shton shpresat për një të mirë që do të vijë shumë shpejt. Ubade ibn Samiti r. a., ka thënë:“ Ëndrra e besimtarit është e folur me të cilën Zoti i tij i drejtohet atij derisa ai është në gjumë”.
Literatura e konsultuar: 1.“ Komentimi i Ëndrrave”, Muhamed ibn Sirin. 2.“ Medarixhu Salikin”, Ibn Kajjim el- Xhevzije. 3.“ Enciklopedia e sjelljeve dhe rregullave Islame”, Abdul- Aziz en- Neda. 4.“ Kërkimi i begatisë- Llojet dhe dispozitat e tij”, Nasir ibn Muhamed el- Xhedi. 5.“ Fjalor i komentimit të ëndrrave” Husejn es- Serraxh. 6.“ Jeta dhe Vdekja”, Muhamed Muteveli esh- Sharavi.
Kastriot BEHRAMI / II
Zgjimi Islam 19