Në lidhje me këtë grup të formuar, El-Muvaffak bin Ahmed el-Mekkiu( vdiq në vitin 568 / 1172) shkruante:“ Ebu Hanife e ka rrumbullakuar sistemin e tij legjislativ në marrëveshje me nxënësit e tij të ditur. Dëshira e tij për të bërë gjithçka që është e mundur në dobi të fesë, dashuria e tij ndaj Zotit, Pejgamberit dhe ndaj besimtarëve, nuk e lejonte të ndërmerrte veprime të njëanshme, duke injoruar kolegët-nxënësit e tij. Çdo problem e shtronte para tyre. Hidhte dritë në aspekte të ndryshme të tij. Dëgjonte me vëmendje çfarë deklaronte secili prej tyre dhe shfaqte qëndrimin e tij për ta shqyrtuar. Këto shqyrtime dhe diskutime kanë qenë aq të hollësishme saqë për disa vendime nevojitej një muaj ose më shumë. Në fund, kur arrihej zgjidhja e duhur, atë e shënonte Ebu Jusufi në përmbledhjet e shkollës Hanefite”
Ebu Hanifeja ishte shumë i hapur dhe transparent me nxënësit e tij. Një ditë, ndërkohë që po jepte komentet dhe mendimet e tij, ndërhyri dikush dhe i tha:“ Ke gabuar, o Ebu Hanife!” Ebu Hanifeja nuk i ktheu përgjigje dhe vazhdoi, por dikush tjetër e ndërpreu dhe i tha:“ Ke gabuar, o Ebu Hanife!” Mes nxënësve ndodhej dhe një burrë që ishte hera e parë që merrte pjesë në mësimet e Ebu Hanifes. Ai u shtang nga ajo që dëgjoi, ku dy nxënës e ndërprisnin mësuesin e tyre, imamin më të madh të kohës. Ai u ngrit dhe u tha nxënësve të tjerë:“ A kështu e respektoni mësuesin tuaj?! Dy nga nxënësit e tij i thonë që ke gabuar dhe asnjëri prej jush nuk flet?! Ebu Hanifeja, duke buzëqeshur, iu drejtua burrit dhe i tha:“ Lëri, pasi unë vetë i kam mësuar dhe edukuar në këtë formë!”
12
Zgjimi Islam
Burri, i befasuar, e pyeti:“ I ke mësuar ti që të të thonë“ Gabove?!” Ebu Hanifeja i tha:“ Ne nuk mund t’ i shërbejmë fikhut veçse në këtë mënyrë”. Pra, shohim se Ebu Hanifeja nuk e impononte mendimin e tij në çështjet e jurisprudencës islame. Kjo ngase ai donte që t’ i mësonte nxënësit e tij mbi formën e debatit dhe arritjes së mendimit më të drejtë. Për fund, Ebu Hanifeja ishte themeluesi i shkollës së parë dhe më të madhe juridike, së cilës i përkasin një numër i madh i muslimanëve në të katër anët e botës islame, në mesin e të cilëve edhe muslimanët e Ballkanit, ku shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe dërrmuese. Ai konsiderohet dijetari i parë i cili ka shënuar fikhun dhe e ka sistemuar në kaptina e në tërësi të mëdha tematike, siç bëhet edhe sot.
Literatura e konsultuar: 1.“ Historia e së drejtës së Sheriatit”, Mr. Fikret Karçiq, Prizren 1994. 2.“ Shkolla juridike hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrinës së saj”, Nexhat Ibrahimi, Shkup 1998. 3.“ Ftesë për bashkëjetesë”, Amër Halid, Shkup 2008. 4.“ Pesë kryeveprat e Ebu Hanifes”, përktheu nga arabishtja: Mustafë Jetish Bajrami, Prishtinë 2000. 5.“ Musnedi i Imam Ebu Hanifes”, Dr. Fuad Sediç, Prishtinë 2009.
Bardha KQIKU / I