Zgjimi Islam Zgjimi Islam nr. 13 | Page 9

Fundi i një rruge, por jo edhe i një misioni

Çdo rrugë që marrim, sado e gjatë qoftë ajo, e ka edhe mbarimin e saj. Dhe një ditë ne e arrijmë atë fund. Por, megjithatë, ajo rrugë e gjatë nuk na lë pa kujtime të shumta dhe gjurmë të thella në mendjet dhe zemrat tona. Po si qëndron puna kur ajo rrugë e gjatë, është pjesë e një misioni të lartë e fisnik, qëllimi i të cilit është njohja dhe adhurimi i Zotit të Madhëruar? E pra, kjo është rruga e studentëve që ua kanë mësyrë piedestaleve të larta në nxënien e diturive të dobishme. Kësaj rruge ia kishim mësyrë edhe ne. Kur i kujtoj ditët e para të ardhjes sime në Fakultetin e Studimeve Islame më ngjallin plot nostalgji. Ishin ditë të mrekullueshme, ndjehesha shumë e lumtur që tashmë isha në nivel të studimeve postdiplomike pikërisht në këtë fakultet. Fatmirësisht, u gjeta shumë mirë në mesin e një shoqërie të re. Atëbotë ligjëratat i ndiqnim në objektin e vjetër të fakultetit, me gjithë vjetërsinë e tij, ne mund t’ i zhvillonim ligjëratat dhe mësimet me rregull. Ne u adaptuam shumë shpejt, dhe përveç ligjëratave merreshim edhe me aktivitete tjera të organizuara nga Unioni Studentor dhe Redaksia e revistës“ Zgjimi Islam”, ku kontribuonim me shkrime të ndryshme. Kështu kaloi viti i parë, për të filluar vitin e dytë në objektin e ri, ku gjithçka ishte ndryshe, kishte hapësira më të shumta, salla më të mëdha të ligjëratave, aktiviteteve dhe konferencave, bibliotekë më e sofistikuar dhe në çdo aspekt objekti i ri ofronte kushte superiore për mësim. Edhe ky vit u karakterizua njëjtë sikur i pari si në aspektin e ligjëratave dhe aktiviteteve të ndryshme të organizuara nga studentët dhe stafi i fakultetit. Kalonin ditët, javët, muajt, dhe ne si studentë çdo herë e më shumë pajiseshim me njohuri të reja, dhe po ashtu testoheshim nëpër sesionet e provimeve për gradën e njohurive që përfitonim. Kaloi edhe viti i tretë e ne përherë e më shumë ngriheshim në piedestalet e synuara të rrugës së diturisë. Këtë rrugë, nuk e kemi nder dhe privilegj më shumë se sa përgjegjësi dhe emanet, e këto dy të fundit kur kryhen me nder dhe përpjekje të sinqerta, suksesi, privilegji e begatia janë të garantuara për ne. Dritë në hapat tanë jep vetëm ajo dituri e fituar me sinqeritet të plotë, me përpjekje të madhe, punë të palodhshme dhe aktivitete të vazhdueshme.
Edhe në vitin e katërt vazhduam si më parë ndjekjen e asaj drite. Tashmë për ne janë hapur horizontet e dijes, dhe sa më shumë që mësojmë aq më shumë e ndiejmë nevojën për të vazhduar tutje, sa më shumë studiojmë aq më shumë thellohemi, sa më afër dritës aq më shumë urrejmë errësirën e injorancës.
Edhe këtë vit, begatia e punës së palodhshme si të stafit akademik të këtij institucioni të nderuar, si të studentëve, nuk mungoi asnjëherë. Tashmë po rrugëtojmë edhe pjesën e fundit-semestrin e fundit të studimeve në këtë institucion të dritës e dijes dhe, sikur çdo ndarje, edhe kjo ndarje për ne është shumë e rëndë. Si mos të jetë kështu, kur nga ky institucion përfituam vetëm dituri të dobishme, dritë dhe udhëzim drejt rrugës së Zotit të Madhëruar. Sikur që mërziten besimtarët e devotshëm kur mbaron muaji i shenjtë i Ramazanit, sikur që mërziten haxhilerët kur kthehen nga Haxhi-pelegrinazhi, ashtu mërzitemi edhe ne me ndarjen nga ky tempull i dijes.
Valmire BATATINA / IV
9