jua them me sinqeritetin më të plotë se që nga dita e parë këtë punë e kam konsideruar si një përgjegjësi të madhe që më është ngarkuar mbi supe dhe në vazhdimësi kërkoj nga Allahu Fuqiplotë të më ndihmojë në plotësimin e këtij misioni me korrektësinë më të madhe. S’ ka dyshim se përgjegjësia dhe privilegji ecin paralelisht, andaj e kam në hatër këtë fakt, dhe po këtë frymë dhe këtë ndjenjë që e kam thellë të ngulitur në shpirtin tim po mundohem ta mbjell edhe në zemrat e studentëve të mi. Pra, ndjenjën e përgjegjësisë që assesi nuk reflekton në pesimizëm a pasiguri në arritje të sukseseve dhe njëkohësisht ndjenjë privilegji që nuk guxon të rezultojë në mendjemadhësi, Zoti na ruajt nga të dyja këto.
Zgjimi Islam: Cila është motoja juaj në jetë në përgjithësi dhe punë në veçanti?
Afrim Bulliqi: Shfrytëzimi i kohës për gjëra të dobishme. Koha gjithnjë ka ecur me hapa të shpejtë vetëm se dinamika e jetës që po e përjetojmë në kohën tonë moderne është e paparë, andaj edhe kohës i ka mbetur shumë pak bereqet. Ajo po u ikën nga duart edhe atyre që janë shumë të kujdesshëm në shfrytëzimin e saj e lëre më ata që këtë çështje nuk e kanë dert fare. Dita ishte dhe është 24 orë si për më të suksesshmit poashtu edhe për më dështakët. Dallimi qëndron në menaxhimin ose mosmenaxhimin e saj. Nëse ajo menaxhohet mirë mbetet një pjesë edhe për pushim a dëfrim vetëm se duhet renditur saktë prioritetet. Ndërsa në punë them se: Sinqeriteti + vullneti + angazhimi = Suksesi.
Zgjimi Islam: Sa shihni disponim edhe gatishmëri nga studentët për t’ u marrë me Kur’ anin në përgjithësi?
Afrim Bulliqi: Të jem i drejtpërdrejtë në këtë pikë, kemi shembuj të shkëlqyer dhe storie të rëndësishme të arritjeve dhe suksesit nga ana e tyre por vlerësimi dhe gjykimi, si për çdo gjë tjetër, duhet të bëhet duke shikuar çështjen si tërësi. Ndaj, shikuar në përgjithësi ka vend akoma për më shumë angazhim dhe punë, është e vërtetë se kompetencat dhe aftësitë tek shumica ekzistojnë vetëm se ka nevojë që të ngjallet ndjenja e vullnetit, shpirtit ambicioz dhe synimeve të larta e të mos kënaqemi me rezultate të vogla, porse të synojmë majat e suksesit. Njëri nga poetët arabë lidhur me këtë u shpreh në këtë mënyrë:
Nga të gjitha të metat nuk pashë më të madhe Se mosplotësimi i atij që veten ka mundësi ta plotësojë. Ai që ngjitjes se majave i frikësohet, Përgjithmonë‘ poshtë’ do të jetojë.
Po ashtu ua kujtoi ankesën e të Dërguarit s. a. v. s. që e ka regjistruar Kur’ ani Famëlartë:‘‘ I Dërguari u ankua e tha: O Zot im! Populli im ka anashkaluar( braktisur) Kuranin!’’
Zgjimi Islam: Çka do të veçonit si ngjarjen më të rëndësishme gjatë mësimdhënies suaj në FSI?
Afrim Bulliqi: Gjatë kësaj periudhe kishte shumë ngjarje të shënuara duke filluar që nga akreditimi i FSIsë, inkorporomi i tij në Universitetin Publik, ndërsa më e veçanta e tyre për mua ishte shënimi i 20-vjetorit të themelimit të FSI-së. Jubile ky që rrëfen për historikun dhe rrënjët e thella të këtij institucioni shkencor, i cili, si i tillë, na ngarkon edhe më tepër përgjegjësi për një angazhim sa më të madh drejt një të ardhmeje të ndritur të popullit tonë përmes formimit të gjeneratave që po vijnë.
Zgjimi Islam: Cili është mesazhi juaj për studentët dhe për gjithë ata që do ta kenë në dorë këtë revistë?
Afrim Bulliqi: Mesazhi që jam munduar ta përçojë, gjatë gjithë kohës, tek të gjithë studentët është: se ne duhet të kemi më shumë vullnet si dhe ambicie sa më të larta për mësim dhe kërkim të diturisë. Mos ia lejoni vetes që të tjerët apo rrethanat e ndryshme të ndikojnë e t’ i kufizojnë ambiciet tuaja, apo t’ i vendojnë kapak vullnetit tuaj. Jeni në fazën më të rëndësishme të jetës, kur ju po ndërtoni personalitetin dhe të ardhmen tuaj që do t’ ju përcjellë përgjatë tërë jetës. Andaj synoni majat më të larta në të gjitha aspektet e jetës suaj. Maratonën e fillojnë shumë garues, por pak janë ata që e përfundojnë e edhe më pak janë ata që e fitojnë, ndaj mos thoni: me rëndësi është pjesëmarrja, porse synojeni fitoren. Në vazhdimësi po dëgjojmë për njerëz me të meta të ndryshme, por që kanë arritur suksese të mëdha në lëmenjtë e tyre, atëherë çfarë justifikimi do të paraqesin të shëndoshët! Frymëzohuni duke lexuar kohë pas kohe storie të njerëzve të suksesshëm që kanë arritur majat.
Mos harroni: Sinqeriteti + vullneti + angazhimi = Suksesi.
5