Zgjimi Islam Zgjimi Islam nr. 13 | Page 20

As’habul Kehf Diku në lartësinë e maleve të Shqipërisë, e në thellësinë e një shpelle të largët për 30 vite të plota, jetuan një familje e përbërë nga një baba dhe tre djem. Historia e tyre është histori e mbushur me dhimbje, sakrificë, mund e durim. Koha e komunizmit kishte shkatërruar pothuajse gjithçka që kishte të bënte me njeriun si qenie. Njerëzit vriteshin, burgoseshin, derdhej gjaku i tyre kudo, fjala “Zot” (Allah) ishte krim të përmendej e le më të besohej, Kur’ani ishte fatkeqësi që duhej të zhdukej nga jeta e njerëzve. Në këtë mes ku gjithçka frymonte komunizëm e shkatërrim jetonte një baba me tre djem të cilët për të mos i’u bindur kësaj ideologjie antifetare ikën në një shpellë, larg nga shtëpia dhe njerëzit, larg nga fshati dhe qyteti, larg nga gjithçka për të jetuar Islamin e pastër, me bindje të palëkundur. Ngjarje kjo e ngjashme me banorët e shpellës që ceket në Kur’an. “Ata ishin disa djelmosha, kishin besuar Zotin e tyre, e Ne atyre edhe më ua shtuam bindjen.” (Surja Kehf, ajeti 13) Ashtu, siç vepruan banorët e shpellës, ashtu edhe këta vepruan. Babai i mori tre djemtë e tij, më i vogli prej tyre ishte 13 vjeç ndërsa më i madhi ishte në të 30-at, dhe ikën në shpellë. Jeta e tyre në shpellë nuk ishte aspak e lehtë. Kishin të ftohtë, u mungonte ushqimi, veshmbathja e gjithçka tjetër që konsiderohet e nevojshme për një jetë normale. Bënin të pamundurën për të gjetur ushqim, edhe në ditët e ftohta me dëborë, edhe në netët e errëta ku gjithçka strukej, fshihej nga terri. Duruan, duruan, e duruan për të vetmen arsye: “Ta ruajnë fenë e tyre”. E bënë këtë kur kishin mundësi të vepronin si gjithë të tjerët, ta fshihnin besimin e tyre dhe të jetonin në shtëpi, ku i kishin të gjitha. Por nuk vepruan ashtu, sepse besimi i tyre ishte i fortë, shpirti i tyre ishte i bindur se e vërteta gjithmonë triumfon e zemra kërkonte qetësinë e besimit. “Edhe i forcuam zemrat e tyre (i bëmë të qëndrueshëm)...” (Surja Kehf, ajeti 14) Kjo ngjarje na tregon se besimi i fortë të bën të qëndrueshëm, bindja e thellë në Krijuesin të bënë triumfues e të palëkundur në atë që vepron për hir të Tij. Vlera e kësaj bote humbet, kur zgjerohet gjoksi me të vërtetën e pamohueshme. I pari i familjes (babai) ishte plak i moshuar dhe nga vështirësitë dhe mundimet edhe e gjeti vdekja, po në shpellë. Idrisi (djali më i vogël) ishte më i riu nga ta dhe pa dyshim ai e kishte më të lehtë që të shkonte në fshat dhe të kthehej përsëri në shpellë, andaj ai çdoherë e bënte këtë rrugë të gjatë dhe të mundimshme, për t’i plotësuar nevojat e familjarëve të tjerë. 20