të ditur, sa ta kuptojnë se ç’donte të ndryshonte pala
greke në tekstet tona të historisë. Por edhe në atë
rast, asnjëri prej tyre nuk u ndje, ashtu siç nuk u ndje
kur me ndërhyrjen brutale të politikës së Athinës
uzurpohej Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë,
ktheheshin përmbys varret tona, shitej territori dhe
ndryshohej identiteti shqiptar. Çudi, edhe atëherë
heshtën!
Atëherë, le të na lejohet edhe neve që ta zhdramatizojmë disi edhe këtë situatë të fundit. Nga shembujt
e mësipërm rezulton se të gjitha shtetet e mëdha
kanë dashur që të gjitha “ta ngjyejnë” paksa dorën
në historinë tonë. Kështu, Italia dikur, Bashkimi
Sovjetik, Greqia dhe, siç po duket, edhe Turqia. Por
asnjëherë nuk është shënuar një reagim kaq i ashpër,
sa ky i fundit ndaj Turqisë. Nuk ka dyshim se këtu
ka një qëndrim të paragjykuar, prej nga vjen edhe
një reagim kaq shumë joproporcional. Vetë grekët,
që dikur na kërkonin ne shqiptarëve të rishikonim
historinë e marrëdhënieve greko-shqiptare, po e revolucionarizojnë historinë e marrëdhënieve të tyre me
Perandorinë Osmane.
Së pari, nuk e quajnë më si dikur “kohë e humbur”
ose “histori e munguar”, gjë që në kuptimin historik
nuk bën sens. Akoma më shumë, historiografia e
re greke, në hullinë e asaj evropiane, krahas anëve
negative, po zbulon gjithnjë e më shumë edhe motive të jetës, të zhvillimit, të tolerancës, që paskëshin
qenë prezente edhe në atë Perandori. Nënshkruesit e
peticionit tonë nuk i shohin gjërat kështu. Perandoria
Osmane, për ta, është “një gropë e zezë”, është thjesht
e vetëm perandoria e së keqes “in toto et per totum”.
Për rrjedhojë, jeta jonë 500-vjeçare nën kupolën e saj
është një histori që duhet harruar.
E kotë t’i pyesësh se si e shpjegojnë faktin që nën
sundimin “mizor” e “obskurantist” osman, në këto
treva lindën qendra të mrekullueshme kulture e
zhvillimi, si Voskopoja, Janina, Shkodra e Prizreni.
Ndonjëri, me siguri, do të përgjigjej se dukuri të tilla
u zhvilluan “ilegalisht”, pa dijeninë e Portës.
Shqetësimi i zotërinjve të peticionit është kryekëput
politik: i tremben një rikthimi në Shqipëri e Ballkan
të “gogolit”, të Perandorisë Osmane nën petkun e
Turqisë moderne.
Pra, ne nuk mund t’i mohojmë, dhe aq më pak t’i
ndalojmë Turqisë të zhvillojë një politikë të jashtme
në përputhje me peshën dhe me interesat e veta. Ne,
pa bërë kompromise e pa lëshuar në çështje që i konsiderojmë jetike, siç kemi bërë vazhdimisht, duhet të
gjejmë konvergjencat dhe mënyrën për të zhvilluar
më shumë në interesin tonë një marrëdhënie që ka
qenë gjithnjë pozitive.
Turqia ka qenë dhe është një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë. Një gjë të tillë e kuptoi që të
nesërmen e 28 nëntorit pikërisht njeriu që e ndau
historinë e re të Shqipërisë nga e kaluara osmane,
Ismail Qemali.
E pas tij, edhe shtetari më i kultivuar e më evropian
që ka njohur Shqipëria, Fan Noli, e akoma më tej,
edhe diktatori Enver Hoxha. Nuk i vlerësoi drejt
marrëdhëniet me Turqinë mbreti Ahmet Zogu. Por,
besoj që këtu biem dakord të gjithë, Ahmet Zogu nuk
është për t’u marrë shembull, të paktën për sa i përket
mbrojtjes së interesave e të dinjitetit kombëtar.
Bedri BYTYQI/ I
Literatura
1.Arbër Berisha, “Toleranca osmane dhe shqiptarët”,
shtypi “Grafo ING”, Prishtinë 2011.
2.Intervista me Noel Malcolm në RTK.
3.Deklaratë nga Dr. Shefqet Krasniqi më 01.04.2013.
4.www.panorama.com.al/2013/03/30/flet-historianii-njohur-pellumb-xhufi-peticioni-per-historine-memaraz-anti-turqi/
19