famullisë dhe të merrej me do gatime e prandaj iu sugjerue nji kalangerçe –
njifarë Zhanetë Mek Klour – dhe aj u bind fort lehtë, tuj veprue veç me kokë
t’vet. Shumë qenë atë të cillët deshtën me ia hapun sytë, pse ajo Zhaneta na
delte mâ se e dyshimtë edhe mes nierzvet mâ t’ndershëm të Baluerit. Kohë
mâ parë kish patun fëmijë me nji ushtar kalorcije, kishte nja tridhêt vjet që
s’kungohej dhe djaloçët e kishin ndigjue tuj brroçkullisë diç me vete në errësinë, andej nga shtegu i Kejit, nji vend pak i përshtatshëm për nji grue me
frigë ndaj Tênzot. Gjithsesi, kish pasë kénë vetë zotnia i tokavet aj që i foli
famullitarit per Zhanetën dhe ky i fundit ish gadi me shkue edhe mâ larg per
hir të zotnisë. Kur gjindja i thosh se Zhaneta ishte motër e dreqit, aj mêndonte se ish vetëm nji bestytni dhe kur i nxirrnin para Biblën bashkë me shtrigën
e Endorit, aj jua fuste prapë fjalët n’grykë tuj thanun se ato ditë kishin shkue
larg e se tash, falë mëshirës hyjnore, dreqi ishte shumë mâ pak i fuqishëm.
Eh mirë, kur neper katund u hap fjala se Zhanetë Mek Klour do të shërbente
n’famulli, nierzit u xhindosën edhe me tê, edhe me famullitarin dhe ndrikullat e fshatit s’gjetne gjâ tjetër veçse me u ngulë para portës së shtëpisë së
plakushes dhe me i lëshue batërdi fjalësh per ato që dijshin rreth saj, që nga
fëmija i ushtarit, gjer te dy lopët e Xhon Tomsonit. Zhaneta zakonisht fliste
pak: gjindja e linte me përshkue udhën e saj, madje edhe ajo nuk thosh nadja e mirë dhe mbrâmja e mirë, por ama kur i hypte, i futej ku të dhemb e ku
të djeg. Kështu, ajo brofi n’kambë e vërviti nga të katër anët të tâna thashethemet t’vjetrueme të Baluerit duke xêhun fort keq gratë e tjera: po t’i thojshin
nji gjâ, ajo u lëshonte dy, gjersa në nji çasë ndrikullat e mbërthyen, ia shqitne
teshat prej trupi dhe e zvarritne përmes katundit gjer tek ujnat e Dulit, per me
pá nëse ishte shtrigë, per me pá nëse do rrinte mb’ujë apo do zhytej teposhtë.
Plakushja lëshonte kujë sa me e ndigjue i tânë pylli, luftonte sa për dhêt dhe
shumë prej atyne ndrikullave mbajshin ende shênjat e saj ditët n’vazhdim,
kur bash në mes të gjullurdisë erdh’ (per fatin e tij t’keq) famullitari i ri.
“Gra,” tha ai (me zâ solemn), “në emër të Zotit ju urdhëroj ta lironi!”
Zhaneta u turr drejt tij, tuj u dridhun prej friget dhe aty ju ngjit, ju përgjërue
per shpirt t’Jezu Krishtit, ta shpëtonte nga ndrikullat, ndërsa këto filluen me i
tregue ç’dinin për ate grue, e ndoshta edhe mâ tepër.
“Grua,” pëveti aj atëherë Zhanetën, “është e vërtetë kjo?”
“Siç më ka pá Hyji,” iu përgjegj ajo, “siç më ka krijue Hyji, asnji fjalë mâ tepër!
Përveç fëmijs, unë gjithnji kam kénë grue e mirë.”
“A je e gatshme,” vijoi Ât Soulisi, “në emër të Zotit e para meje, shërbëtorit të
tij të padenjë, të heqësh dorë prej djallit dhe tundimeve të tij?”
Fort mirë deri këtu, por u duk se kur aj e pëveti kështu, plakushja ia dha nji
ngërdheshjeje që ia futi frig :