Pa Fokus | Page 21

konsistonte në dy çadra dielli të hapura, dy shezlonge dhe një hark mbi to ku shkruhej ‘Paradiso’ (që një Zot e di përse ishte shkruajtur ashtu). Nëse herën e parë publiku mund të vizitonte nga afër vilën pas një ndarje klasore sërë dhe masë, në rastin e Xhafës i gjithë publiku ishte i deklasuar dhe kishte predispozitë të kqyrte e të konfuzohej nga jashtë. Megjithëse ky duket të ketë qenë edhe qëllimi i artistit në punën e tij në lidhje me publikun, duke patur parasysh punët si Axis of silence apo Elegant sick bus, kjo punë nuk duket të jetë ndër më të mirat e Xhafës. Në këto dy projekte të para të realizuara, Fondacioni për Art Bshkëkohor M.A.M. nuk e ka nisur me këmbën e mbarë. Të tilla qasje më shumë se paradigmë për artin bashkëkohor si emancipues social, janë hapësira boshe të cilat mbushen vetiu nga pesha e kritikës (jo detyrimisht nga kritikët profesionistë). Në ditët e sotme është bërë e modës që për çdo gjë që nuk shkon në çështjet sociale, politike, ekonomike, etj. të drejtohet menjëherë gishti nga regjimi i shkuar, pa u menduar gjatë, duke hequr dorë nga çdo përpjekje dhe përgjegjësi për të tashmen. Ndër të paktat alternativa që zgjidhet të bëhet është edhe fshehja e problematikës me anë të praktikave artistike sipërfaqësore kur, ku dhe si të mundet. Përpjekje të tilla për krijuar art kudo, me gjithë qëllimin e mirë që kanë në vetvete, këputen në praktikë duke kompromentuar qëllimin. Zgjedhja e hapjes së dyerve si galeri të një objekti kaq interesant për nga historia siç është vila e ish-diktatorit Hoxha, është po aq e pavend sa ç’mund të ishte edhe ndonjë ekspozitë kolektive e artistëve bashkëkohorë italianë në mjediset e Villa Torlonia-s (ish-rezidenca ku banonte Musolini në Romë). Vila e ish-diktatorit mbart vlera jo të pakta pikërisht se është ajo që është, pa patur nevojë për përkujdesje estetike që kuratorët kërkojnë t’i bëjnë. Interesi i vizitorëve ndaj objekteve dhe mjediseve të brendshme e evidenton më së mirë këtë. Për publikun godina do të njihet kurdoherë si ‘Vila e Enverit’ e kurrëndonjëherë si qendër arti dhe galeri. +