Pa Fokus Shkurt | Page 45

45 ndodhte kjo. Iu betova vetes. Bariu ka kohe qe nuk është parë. Shumë dele mendojnë që bariu do vijë sot ose nesër dhe do t’i nxjerrë me kujdes jashtë stanit që të kullosin siç dinë vete ato, të lirshme dhe të ç’organizuara, por sa kam qenë gjallë une, bariu nuk është dukur akoma në ato anë të stanit. Megjithatë unë mbroj me kokëfortësi bardhësine e leshit të deleve. Disa dele mbajnë mend – ose thonë – që e kanë pas parë bariun kur vinte më pe\ërpara dhe nxirrte bagetitë per të kullosur në barin jashtë stanit, në kodrat e larta dhe të panjohura për delet, por të njohura për të. Delet e vjetra kujtonin me nostalgji sigurinë qe u jepte bariu kur dilnin, sesi ai kujdesej për to dhe për qengjat e atëhershëm që të mos humbnin, të mos bënin pis leshin e tyre të bardhë dhe të mos i gjente gjë nga e keqja që rrethon kodrat rreth stanit. Disa dele kanë lindur me leshin jo të bardhë, dhe delet e bardha thonë qe ato kanë lindur pis. Une i mbroj edhe ato gjithsesi. Delet kujtonin gjithmonë sesi bariu kujdesej më shumë për delet me leshin jo të bardhë sepse sipas tij ato ishin më te predispozuara që të bëheshin pis në kodrat e panjohura të së keqes, rrotull stanit. Delet kujtonin gjithmonë sa i kujdesshëm tregohej bariu me to. Qengjat nuk e kishin parë ndonjëhëre bariun, pasi ishin të gjithë të vegjël, por besonin delet, dhe meqë delet besonin te bariu, edhe qengjat prisnin dhe besonin te bariu. Ne stan gjithashtu besohet që bariu vendosi qen si puna ime te hyrja e stanit sepse s’mund të ishte gjithe kohës vërdallë për të mbrojtur delet e tij. Askush s’mund të përgjigjet se përse bariu nuk mund të rrinte gjithë kohës me delet e tij, por shumë pak dele në fakt pyesin për këtë gjë, kështu që nuk është ndonjë problem i madh. Qengjat ndërkohë ndjekin delet. Nderkohë as unë vetë nuk e di ç’bëhet me bariun. Paraardhësi im, qeni stanit përpara se une të merrja detyrën më thoshte gjithmonë që, megjithëse nuk e ka parë bariun, ai ekziston dhe i shikon gjithmonë delet, qengjat dhe të gjithe stanin kur eshte në nevojë, dhe se ne, qentë e stanit jemi shërbëtorët e tij më besnikë e më të mirë, e ai na beson neve me të gjithë atë ç’ka më të shtrenjtë, me grigjën e tij. Unë ende nuk jam i sigurtë për këtë, por gjeni im mbrojtës më detyron mua të mbroj delet dhe qengjat pavaresisht nëse bariu na sheh, do vijë, e ka harruar stanin, ose ka vdekur fare. Une i jam betuar vetes që do mbroj stanin dhe bardhësinë e leshit të deleve pavarësisht bariut. Megjithatë, në netët me erën e forte të veriut, në prag dhe në mes furtune, sytë e mi të kuq flak, që bashkë me qimen e fortë ndricojnë stanin e errësuar nga furtuna, dëshirojnë ardhjen dhe ndihmën e bariut. Ndonjëherë natën bëhet shumë ftohtë. Stani është në majë të kodrës më të lartë dhe kur fillon era nuk ka qënie që arrin ta pushojë. Pastaj vendqëndrimi im nuk është bërë që t’i rezistojë erës ose furtunës, është bërë që unë të kem pamje të qartë mbi errësirën e jashtme. Sidomos në netët me erë dhe me furtunë, vështirë se jashte shikohet gjë. Stani ndricohet pak nga qimja dhe sytë e mi, të dyja flak te kuq, por jashtë stanit ka vetëm errësire, dhe stani rrezikohet që të futet errësire nga të katër anët. Mbaj mend një natë, ishte dimër. Era e veriut kishte disa ditë )