43
Klea Vyshka
RUBRIKA DOSSIER
Njëra ishte për Herrin, tjetra për të atin. Ernesti kish qenë më i dashuri për të, megjithëse edhe
Herrin e pëlqente. Kishte vënë re se i ati po plakej. Do t’i mungonte. Ndonjëherë tregohej tepër i
përzemërt. Jo shumë kohë më parë, kur ajo u sëmur dhe nuk u ngrit nga krevati, ai i lexoi me zë
të lartë një histori me fantazma dhe ngriti dolli për të pranë zjarrit. Një ditë tjetër, kur mamaja
ishte ende gjallë, shkuan të gjithë për piknik në kodrën e Houthit. Mbante mend se i ati vuri në
kokë kapuçin e mamasë që fëmijët të qeshnin.
Koha po i mbaronte, por ajo vazhdonte të rrinte ulur pranë dritares, me kokën e mbështetur tek
perdet, duke thithur erën e kretonit të pluhrosur. Larg, në fund të shëtitores mund të dëgjonte
një organo tek luante. E njihte melodinë. E çuditshme që erdhi pikërisht atë natë si për t’i kujtuar
premtimin që i kish bërë s’ëmës, premtimin se do ta mbante shtëpinë të bashkuar aq gjatë sa
të mundej. Iu kujtua nata e fundit e sëmundjes së mamasë; ajo qëndronte në dhomën e vogël,
të errët, në anën tjetër të sallonit, ndërsa jashtë ndihej një frymë melankolike Italie. Organisti u
urdhërua të largohej pasi i dhanë gjashtë pensë. Mbante mend të atin tek vërdallosej në dhomën
e të sëmurës duke thënë:
“I marrtë djalli italianët! Edhe këta na duheshin!”
Teksa rrinte e zhytur në mendime, shëmbëlltyra e trishtuar e jetës së mamasë shtriu ndikimin
e saj menjëherë në të gjithë qenien – ajo jetë e sakrificave të zakonshme që u mbyll në
çmenduri të fundme. Ajo dridhej tek dëgjonte sërish zërin e së ëmës duke thirrur papushim me
këmbëngulje të marrë:
“Derevaun Seraun! Derevaun Seraun!”
Ajo brofi në këmbë me një vrull të papritur tmerri. Të arratisej! Duhej të arratisej! Frenku do
ta shpëtonte. Ai do t’i jepte jetë, ndoshta dhe dashuri. Por ajo donte të jetonte. Përse duhej të
ndihej e trishtuar? Kishte të drejtë për pak lumturi. Frenku do ta rrëmbente në krahët e tij, do ta
pushtonte në gji. Ai do ta shpëtonte.
Ajo qëndroi mes turmës lëkundëse në stacionin e North Uollit. Ai e kishte kapur për dore dhe
ajo e dinte se diç po i thoshte, ndoshta rreth rrugës së gjatë papushim. Stacioni ishte plot me
ushtarë që mbanin valixhe të murrme. Përmes dyerve të gjera të strehës syri i saj kapi një
vështrim të trupit të zi të anijes, vendosur pranë murit të molit, me dritaret e vogla të ndriçuara.
Nuk u përgjigj. Ndjeu të zbehej e të ftohej dhe në atë labirint turbullimi luti Zotin ta drejtonte, t’i
tregonte se cila ishte detyra e saj. Anija shfryu një fishkëllimë të gjatë vajtuese nëpër mjegull.
Nëse shkonte, nesër do të gjendej në det të hapur me Frenkun, duke udhëtuar drejt Buenos
Airesit. Rruga e tyre ishte caktuar tashmë. A mund të zmbrapsej ajo pas gjithë atyre gjërave që
ai kish bërë për të? Turbullimi zgjoi një të pështjellë në trupin e saj tek vazhdonte t’i lëvizte buzët
në lutje të heshtur përvëluese.
Një kë