Pa Fokus Shkurt | Página 15

familjare... Nuk kishte as “Daisy”, siç e do anglishtja e shkruar por Deizy, një emër hibrid, i ngjizur ndoshta nga dëshira jonë për të vrapuar drejt perëndimit por pa lënë dot pas valixhet e historisë tonë, që në vend të thesareve, kthehen në barra, vetëm e vetëm nga mohimi e nga padija. Ishte Deizy, si për ironi të numrit të madh të shqiptarëve që studiojnë anglisht dhe numrit të vogël që dinë t’a shkruajnë a përdorin saktë. Dhe në një moment mu kujtua një nga vargjet e Migjenit, ku përshkruhet sesi nga një përpjekje e madhe nuk lind gje tjetër veçse një mi. Në këtë rast, nga një shekull pavarësi: një dekade mbretëri, pesëdhjetë vjet komunizëm e njëzet e kusur vjet demokraci lindi DEIZY! E Deizy nuk është aspak metaforike në fakt, është e gjallë; e nuk valvitet në flamur, por jeton mes nesh. Deizy eshtë shoqja ime kur ëndërron të shkojë në Amerikë, “se atje do bëjë namin” ose shoku im kur ankohet që këtu s’ke asgjë për të bërë. Deizy del çdo natë në televizor, sikur të këtë bërë abonim njëvjeçar në po të njëjtin emision të lodhur, e flet sa më shumë fjalë të mëdhaja ose të huaja, aq sa ndonjëherë bën dhe shpikje. Deizy ka prekur qiellin me dorë sepse ka zënë një post drejtues në administratë dhe kalon ditën duke treguar sesa shumë di dhe sesa shumë bën, e krijon të gjithë tragjikomizmin që mungon nëpër teatro. Deizy luan çdo ditë në parlament “ e ka kush e ka, por populli e ha” dhe se ka fare problem që i ka dalë tashmë boja. Deizy ka një gojë, jo domosdoshmërisht të ligë, por që shpesh nga “trashja” çfarë nuk thotë. ....Ja dhe një Deizy që nuk diti të ndalojë një herë të vijat e bardha që të më lërë të kaloj, madje duhet të jem dhe mirënjohëse per herët që nuk hipën në trotuar. Pak me tutje një Deizy preferon të hedhë letrën e byrekut përtokë dhe pse koshi (fatmirësisht) është vetëm pak hapa larg.....E gjitha kjo ndodh sepse Deizy, nuk është gjë tjetër veç një dele që i është vënë para emri lule dhe është lënë të zbukurojë fushat e djerra, tashmë shterpë nga mospërdorimi!! “ Ne nuk jemi një komb delesh, por luledelesh dhe kjo e fundit duhet vendosur në fushën e kuqe në vend të shqiponjës.” - dhe hyj në shtëpi disi e vetëkënqur që me në fund i dhashë drejtim dhe misterit Deizy. Pasi e “haj turpin me drekë”, bëj dhe unë xhestin tim alla- Deizy, e postoj në Facebook zbulimin tim, shoqëruar dhe me komentet përkatëse ironike. Papritur Deizy u duk sikur gjeti veten dhe u gjallërua midis fotove të ndryshmë të ushqimeve, qeseve me rroba firmato të sapoblera dhe check-ineve nëpër restorante e bare njëri me i bukur se tjetri. Dhe unë sikur u çlirova, dhe jo për faktin që tani që ekspozova Deizy-n, dikush tjetër le të ndihej përgjegjës sepse unë e kisha bërë timen, por sepse në atë kontekst virtual Deizy, humbi disi atë fuqinë e errët që ia kisha veshur gjatë gjithë rrugës. Me dha shpresë, sepse si çdo gjë tjetër virtuale, ka vetëm atë fuqi që ja lejojmë ne. Dielli doli pakëz më vonë, dhe jo sepse unë kam tendencë të pëlqej fundet e lumtura, por sepse shumicën e ditëve në Tiranë, koha është plot me surpriza.