Një mbrëmje qëlluan të dy vetëm. Bisedonin butësisht, pranë e pranë mbi kanapenë e sallonit të vogël.
Papritmas ai i kapi dorën me një lëvizje atërore. Dhe e shtrëngoi, i turbulluar në zemër e ndjenja,
pavarësisht vullnetit të tij, duke mos guxuar të lëshonte më atë dorë, por edhe gati për t’u këputur nëse
vazhdonte ta mbante. Dhe befas ajo e lëshoi veten në krahët e tij. Sepse edhe ajo e donte me zjarr,
ashtu siç e kish dashur e ëma, sikur ta kishte trashëguar këtë pasion fatal.
I përhumbur mbështeti buzët në flokët e saj biondë dhe kur ajo ngriti kokën për t’u larguar, dy gojët u
takuan.
Në çaste të tilla çmendesh. Edhe me ata kështu ndodhi.
Kur ai u gjend sërish në rrugë, filloi të ecte pa e ditur se ç’do të bënte.
Më kujtohet zonjë, klithma juaj plot zemëratë:
“Nuk i mbetej gjë tjetër, veç të vriste veten!”
Unë ju përgjigja: “Po ajo? Edhe ajo duhet të vriste veten?”
Ai fëmijë e dashuronte përhumbtësisht, çmendurisht, me këtë pasion fatal të trashëguar që e kishte
dërrmuar atë virgjëreshë të paditur dhe të trallisur në kraharorin e atij burri. Ashtu do të vepronte ajo
në atë dalldi të papërballueshme të të gjithë qenies që nuk di më asgjë, që jepet, që instikti trullosës e
përfshin dhe e hedh në përqafimin e një të dashuri, ashtu siç hedh bishën tek gjuetari.
Ç’të bënte?
Ta braktiste, t’i jepte pajë, ta martonte? Përsëri ajo do të vdiste, do të vdiste prej hidhërimit, pa pranuar
as paratë, as një burrë tjetër, meqë ai po largohej prej saj. I kishte thyer jetën, kishte shkatërruar gjithë
lumturinë e mundshme, e kishte dënuar me mjerim të përjetshëm, me dëshpërim të përjetshëm, me
flakë të përjetshme, me vetmi të përjetshme ose me vdekje.
Po pastaj, edhe ai e donte! E donte me tmerr, por edhe me rrëmbim. Ndoshta ishte e bija. Rastësia e
mbarsjes, ligji brutal i riprodhimit, një prekje e çastit mjaftonin që ajo të quhej bija e atij me të cilin nuk
e afronte asnjë lidhje ligjore, me atë që e dashuronte siç kish dashur të ëmën, e madje më tepër, sikur
të dy pasionet të ishin mbledhur brenda tij.
Po në të vërtetë ishte ajo e bija? Pastaj, ç’rëndësi kish kjo? Kush e dinte vallë?
Dhe kujtimi i zjarrtë i premtimeve që i kish bërë të vdekurës i erdhi papritur. Kishte premtuar se do t’i
kushtonte gjithë jetën kësaj fëmije, që do të kryente edhe krim për lumturinë e saj nëse duhej.
Dhe ai vazhdoi ta dashuronte, duke u zhytur në mendimin e ujdisë së urryer dhe të ëmbël, i dërrmuar
nga d