Pa Fokus Mars | Page 68

F ilmi “Shkrimtarët e Lirisë” rrëfen një histori të vërtetë, të ndodhur në Woodrow Wilson Classical High School në Eastside, Long Beach, California. Skenari bazohet në librin “Ditari i Shkrimtarëve të Lirisë”, me autore mësuesen Erin Gruell. Shkurtimisht, filmi tregon historinë e një mësuese te re, të sapo emëruar në Gjimnazin “Woodrow Wilson”. Entuziazmi i saj përballet me realitetin e hidhur të jetës së disa të rinjve që perceptoheshin si të pamundur për t’u edukuar e arsimuar, ata thjesht nuk ishin për shkollë e nuk meritonin asnje lehtësi mësimore, libra artistikë, metodë të përshtatshme mësimdhënieje. Për ta duhet thjesht të bëheshin përpjekje disiplinimi dhe bindjeje. Ky grup nxënësish ishin “të tjerët”, “të ndryshmit”, “të përjashtuarit”, që kishin prishur ekuilibrat dhe dëmtuar prestigjin e shkollës. Ata ishin fajtorët. Erin Gruell e kuptoi shpejt që kjo nuk ishte e vërteta, problemi qëndronte diku tjetër. Problemi ishte mëndësia, sidomos ndërmjet mësuesish, që i perceptonte të dëmshëm. Të jesh edukatore, mësuese nuk është thjesht një punë. Ështe një mënyrë të menduari që bën diferencën në cdo kohë dhe kudo. Mësuesi në auditor nuk përcjell informacionin e temave të kurrikulës, përcjell vlera, kulturë, emocion, shpirtin e tij dhe kështu mnd të ngrejë peshë shpirtin e cdonjërit nxënës e student që e dëgjon. Ai sendërton përfshirje e një qytetari të vërtetë. E kur paragjykimi, diskriminimi, dhuna e përjashtimi ekzistojnë në shkollë, çfarë mund të themi për në rrugë, në geto. “Lufta e vërtetë duhet të ndodhë në klasë,- thotë Erin Gruell,- jo në salla gjyqesh. E di që kam për të mësuar shumë si mësuese, por di të jem një studente e mirë.” Ndoshta këtë kanë harruar mësuesit, të jenë studentë të mirë dhe të mësojnë çdo ditë dicka të re nga auditori, të marrin dhe japin emocione sepse ndjesia është ajo që ngelet. Në nuk mbajmë mend cfarë na është thënë, po si jemi ndjerë në ato momente. Mbajmë mënd kush na ka përcjellë pozitivitet, kush na ka inspiruar e na ka bërë të ndihemi të rëndësishëm. Erin u përball me kundërshtinë dhe rezistencën e nxënësve, ata nuk i besonin figurës së mësuesit, dhe ky ishte një alarm që sistemi i edukimit nuk po e përmbushte funksionin e vet. Ambjenti fizik ku do të zhvilohej mësimi ishte treguesi i parë i diskriminimit. Shkolla përceptohej si një burg i ndarë në seksione të ndryshme etnike. Programi vullnetar i intergrimit, ishte artificial dhe formal sepse këta nxënës me problematika të ndryshme sociale silleshin në shkollë për hir të programit, dhe jo me synimin për të përmirësuar jetën e tyre, për t’I ndihmuar të integrohen. Kjo shprehet shumë qartë në citimin më poshtë:”Pse ata duhet të humbin kohën duke ardhur në shkollë, kur e dinë mirë se në po humbim kohën tonë duke u përpjekur t’u japim mësim. Ne u themi:” Shkoni në shkollë dhe arsimohuni” dhe në momentin e dytë “Ju nuk keni kapacitet për të mësuar kështu që nuk është e nevojshme të shpenzojmë materiale shkollore, libra e burime të tjera”. Një grupi nxënësish nuk mund t’u japë mësim një mësuese që as nuk i pëlqen ata. Të jesh një mësues i mirë nuk mjafton të kesh eksperiencë shumë vjecare në mësimdhënie. Së pari duhet të jesh i/e hapur, të duash e pranosh historinë e jetës së tyre pa e gjykuar, të pranosh të ndryshmen e ta përdorësh atë për të ndërtuar marrëdhënie më të mira, për të rritur qytetarë të mirë. Filmi mbyllet me “Ne nuk jemi thjesht nxënësit e një klase, jemi shkrimtarët e historisë tonë, zërit tonë, e edhe nëse askush nuk do ta lexojë, ky libër do të jetë ajo që ne do të lëmë pas”. Ky film është një model i fortë inspirimi se sa thjesht mund të ndryshojë bota, jeta thjesht duke e pranuar dhe dashur ndryshimin. Kurse specifikisht une lexoj rendësinë madhore të profesionit të mësuesit. Një mësues duhet të jetë idealist dhe mendje hapur. Zbatimi i kurrikulës e bën një njeri që bën një punë të paguar, ndërsa shpirti e bën njeri reformator, frymëzues. Ai ka pushtetin e ndryshimit të jetëve njerëzore.