Nën pushtetin moral të këtyre dilemave, qëllimi im i parë, është që nën dritën e fakteve dhe ngjarjeve, të arrijmë në disa përfundime, së paku në aspektet tronditëse të kësaj teme kaq të vështirë për t’ u trajtuar.
Duke parë e vlerësuar problematikën shumë të gjerë të këtij subjekti, duhet të them qysh në fillim, se do të shprehja keqardhje të thellë, në se të gjithë do të pranonim të qëndronim indiferentë ndaj kësaj tragjedie, të vetëkënaqur vetëm për faktin se nuk ndodhi lufta civile në Shqipëri. Ushtarakët janë pjesë integrale e sistemit shoqëror e shtetëror shqiptar, të cilët kanë qenë, madje, aktorët e spektatorët e tragjedisë së ushtrisë, të pafuqishëm për t ' i dalë asaj përballë e për ta ndalur. Mos vallë kjo ishte e paracaktuar të ndodhte?!
Synimi në këtë shkrim ngelet modest. Do të hedhim dritë vetëm në pak nga temat dhe ngjarjet madhore të kësaj periudhe, duke u bazuar në atë që patëm mundësi të observoj, në botimet dhe literaturat e asaj periudhe, kryesisht, duke u mbështetur në medien e shkruar dhe televizive, në dokumentacione të tjera arkivore, në dëshmitarët okularë të ngjarjeve dhe deklarimet e tyre në opinion, etj.
Mënyra se si i kuptojmë në shumë raste problemet që jetojmë, është jo rrallë e papërsosur. Na duhet të kënaqemi me një gjë tjetër të dytë, që mund të jetë më e mira në një shoqëri të papërsosur, e cila megjithatë është e aftë për përsosje të pafundme. Duhet t ' i zbulojmë dhe t ' i shfrytëzojmë këto mundësi. Pjesërisht si rrjedhim i përvojës së të tjerëve dhe pjesërisht në bazë të përvojës time si ushtarak profesionist, erdhëm tek kjo temë, duke u përpjekur të riformoj problematikën retrospektive, që mund t ' i shërbejë ushtrisë shqiptare, madje dhe më gjerë, në të ardhmen.
Nëse hedhim vështrimin më përpara, tek vitet që kaluam, këto mund të duken probleme të vogla. Kërkesat e kohës dhe ato të diktuara nga zhvillimi i realitetit aktual, ushtria shqiptare anëtare në NATO, kërkojnë shtysa të reja, rritjeje dhe analiza të sintetizuara. Problemet, që në vështrimin e parë mund të duken të vogla, vjen një moment që bëhen faktorë të rëndësishëm, madje dhe të tillë, që kushtëzojnë të ardhmen dhe fatin e strukturave ushtarake.
Shteti përball popullit
Në fillim të vitit 1997, Shqipëria filloi të rrokullisej në greminën e thellë të historisë. Nga veprimet politike të papërgjegjshme ajo po digjej. Askush nuk e donte më shtetin e vet. Populli filloi të demonstronte. Protestat paqësore janë padyshim rregullatori numër një i demokracisë. E tillë frymëmarrje në Shqipëri filloi që në momentet e para të pluralizmit. Kujtojmë vitin 1991. Gjëja e parë që u lejua ishin protestat. Studentët paqësisht kërkuan pluralizmin. Ndryshoi koncepti demokratik i shoqërisë. Shqipëria mori pamjen e një shteti demokratik. U krijuan parti të tjera. Ekonomia e tregut e çoi Shqipërinë në një fazë tjetër të zhvillimit.
2