Nga: Kolonel, Dr. Hekuran A. RAPAJ
SHKATËRRIMI I USHTRISË SHQIPTARE NË VITIN 1997
Abastrakt
Sa më shumë i largohemi kontaktit me tragjedinë e madhe të shpërbërjes së ushtrisë shqiptare, në pranverën e vitit 1997, aq më shumë në mendjet e shumë shqiptarëve feksin dilemat madhore që e çuan ushtrinë atje.
Duke udhëtuar në morinë e fakteve rrëqethëse të ngjarjeve, në ditët dhe muajt e vështirë të pranverës së vitit 1997-të, të jep të kuptosh se një tragjedi e rëndë ndëshkoi shqiptarët. Jam i bindur se lexuesi do të befasohet nga faktet rrëqethëse të pasqyruara në kronologjinë e ngjarjeve, megjithëse jemi disa vite larg nga ngjarjet tronditëse të Marsit‘ 97. Largësia në kohë dhe zhvillimi i ngjarjeve deri në ditët e sotme, na jep mundësinë e reflektimit.
Tashmë është e provuar në të gjithë opinionin vendas, se ngjarjet e Marsit 97, ishin një tragjedi e rëndë për popullin shqiptar dhe për Forcat e Armatosura të tij. Tragjeditë përherë rrezatojnë mesazhe për thelbin e dhimbjes që mbartin në vetvete. Do të dëshironim që tragjedi të tilla të mos përsëriten më kurrë.
Në këtë botim do të përqendrohemi në disa aspekte problemore: politika e gabuar qeverisëse e cila vendosi shtetin përballë popullit. Kjo politikë u reflektua në vendosjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë përballë popullit. Më tej, tragjedia që i ndodhi Ushtrisë shqiptare, duke trajtuar saktësisht dëmet e shkaktuara si dhe pasojat e tyre.
Hyrje
Në dekadat që lamë pas, nuk e kemi parë asnjëherë Shqipërinë dhe ushtrinë më keq se sa në javët e para të Marsit 1997. Atë tërmet të madh që çoi në buzë të greminës, shqiptarët e përjetuan me zemër të copëtuar. Fenomenin e vetshkatërrimit të ushtrisë do ta tipizojmë, duke i vënë emrin“ fenomen shqiptar”. Ngjarjet e Marsit 1997, për nga pasojat e tyre, kanë mbetur e do të mbeten të ngulitura thellë në mendjet e çdo shqiptari.
Përgjithësisht, në përfundim të kësaj situate, shqiptarët kanë qenë nën trysninë e shumë pyetjeve dhe nën efektin e dilemave të mëdha, po thuaj hamletiane. Ç’ farë ndodhi me ushtrinë shqiptare në fillim të pranverës së vitit 1997? Si mund të shpjegohet që kjo ushtri me një efektiv prej 28-30 mijë ushtarë në shërbimin aktiv, të shthurej në një kohë të shkurtër? Si mund të shpjegohet dhe të kuptohet që, një numër shumë i madh deposh u hapën, u shkatërruan dhe armët e shumta ranë në duart e popullsisë, kaluan në pronësi private? Vallë kush e shkatërroi dhe e dogji ushtrinë shqiptare?
1