MBROJTJA E TË MITURVE VIKTIMA TË VEPRAVE PENALE
Në procedurën që mbahet për vepra penale në të cilat i mituri paraqitet si viktimë, gjykatat, prokurorët publikë dhe personat zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme mund të veprojnë vetëm nëse posedojnë arsimim përkatës, njohuri të veçanta dhe përvojë nga fusha e drejtësisë për fëmijë dhe për mbrojtjen penale-juridike të të miturve. Për të gjitha veprat penale nga Kodi penal në të cilat sipas karakteristikave ligjore të veprës i mituri paraqitet si viktimë e veprës, gjykata dhe organet tjera që marrin pjesë në procedurë, janë të detyruar të ndërmarrin masa për ndihmë dhe mbrojtje dhe të veprojnë në mënyrë në të cilën do t ' u iket pasojave të dëmshme të mundshme për personalitetin dhe zhvillimin e tij. Procedura për veprat penale në të cilën i mituri është viktimë është urgjente. I mituri viktimë mund të merret në pyetje si dëshmitar vetëm nëse kjo nuk ndikon dëmshëm mbi zhvillimin e tij psikofizik. I mituri mund të merret në pyetje më së shumti dy herë në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa me përjashtim për herë të tretë nëse këtë e kërkojnë rrethanat e veçanta të lëndës. Gjatë marrjes në pyetje të të miturin si dëshmitar ose i dëmtuar, gjyqi është i detyruar të mbajë llogari për veçoritë dhe karakteristikat personale të të miturit, për mbrojtjen e interesave të tij dhe për zhvillimin e drejtë të tij. Marrja në pyetje e të miturit, në varshmëri nga mosha dhe zhvillimi i tij bëhet në prani të psikologut, pedagogut ose të personit tjetër profesional. Nëse vlerëson se kjo është e nevojshme, duke marrë parasysh veçoritë e veprës penale dhe veçoritë e personalitetit të të miturit, gjykatësi do të urdhërojë marrjen në pyetje me përdorimin e mjeteve teknike për bartjen e fotografisë dhe të zërit. Marrja në pyetje zbatohet pa praninë e palëve dhe të pjesëmarrësve tjerë në procedurë, në lokal të posaçëm dhe pyetjet parashtrohen me ndërmjetësimin e pedagogut, të psikologut ose të personit tjetër profesional. I mituri për të cilin me vendim të plotfuqishëm gjyqësor është vërtetuar se është viktimë, përkatësisht i dëmtuar me vepër penale ose me akt tjetër të dhunës, dhe të cilit i është njohur kërkesa pronësore-juridike, mund të parashtrojë kërkesë për dëmshpërblim nga Fondi te gjykata kompetente, kur kërkesa pronësore-juridike edhe pas tentimit të përsëritur për shkak të pengesave faktike ose juridike nuk mund të kryhet nga prona e kryerësit të veprës penale ose akt tjetër të dhunës edhe kur nga plotfuqishmëria e vendimit për kërkesë pronësore-juridike kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj. Gjykata do të marrë aktvendim për dëmshpërblim në shumën e kërkesës së rigjykuar pronësorejuridike, pa rritjen në bazë të kamatave ose të shpenzimeve tjera plotësuese rreth zbatimit të kërkesës. Nëse gjykata e refuzon kërkesën, i mituri-viktimë ka të drejtë për ankesë te gjykata e apelit në afat prej tetë ditësh nga dita e pranimit të aktvendimit për refuzim Vendimi i gjykatës së apelit është përfundimtar. Nëse dëmshpërblimi është paguar, gjykata ia dorëzon aktvendimin për dëmshpërblim prokurorit publik për shkak të ngritjes së procedurës për zbatimin me detyrim të dëmshpërblimit të paguar nga prona e kryerësit. Kundër këtij aktvendimi nuk lejohet ankesë, kurse kjo do të zbatohet në pajtim me dispozitat e Ligjit për përmbarim. Mbrojtja e të miturve si dëshmitarë në procedure penale sigurohet në pajtim me dispozitat e Ligjit për procedurë penale dhe Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Sipas nevojës gjykata do të urdhërojë zbatimin e masave të veçanta për mbrojtjen e integritetit psikofizik të të miturit.