VEPRIMI ME TË MITURIT
Masat e ndihmës dhe të mbrojtjes Ndaj të miturit i cili gjatë kohës së kryerjes së veprimit që me ligj është përcaktuar si vepër penale ose kundërvajtje, që nuk i ka mbushur katërmbëdhjetë vjet- fëmijë në rrezik nuk mund të zbatohet sanksioni i paraparë me ligj. Ndaj fëmijës në rrezik zbatohen masat e ndihmës dhe të mbrojtjes. Ndaj fëmijës në rrezik zbatohen masat e ndihmës dhe të mbrojtjes vetëm kur Qendra për punë sociale do të vlerësojë se gjendja e rrezikut shprehet në zhvillimin e personalitetit të fëmijës dhe edukimin e tij të drejtë dhe ajo mund të ndikojë që në të ardhmen të bëjë vepra penale ose kundërvajtje. Masat e ndihmës dhe të mbrojtjes janë masa të përcaktuara me ligj në sferën e arsimit, mbrojtjes shëndetësore, sociale, familjare dhe formave tjera të mbrojtjes. Masat për ndihmë dhe mbrojtje të përcaktuara me ligj mund të zbatohen edhe ndaj të miturit të vogël dhe të miturit të madh në rrezik. Për veprim të fëmijës, që me ligj është cilësuar si vepër penale ose kundërvajtje, si dhe për veprimin e të miturit të vogël ose të madh në rrezik që është cilësuar si vepër penale për të cilën është paraparë dënim me burg deri në tri vjet ose kundërvajtje, si dhe për gjendje tjera në rrezik, informohet Qendra për punë sociale kompetente sipas vendit të banimit të të miturit. Qendra vepron sipas informimit të Ministrisë për Punë të Brendshme, shkollës ose nga institucioni tjetër në të cilin i mituri është vënë në përkujdesje dhe edukohet, si dhe nga familja, i mituri, i dëmtuari dhe nga personi tjetër. Në afat jo më të gjatë se shtatë ditë nga pranimi i informimit ose njohurisë tjetër, e në raste urgjente jo më vonë se njëzetë e katër orë, qendra e thërret fëmijën respektivisht të miturin e vogël ose të madh në rrezik dhe familjen e tij dhe ngre procedurën me karakter të besueshëm për shkak të përcaktimit të fakteve dhe rrethanave të ngjarjes konkrete ose gjendjes në rrezik. Bisedën e mban përfaqësuesi nga ekipi profesional ose ekipi profesional i përbërë nga pedagogu, punëtori social, psikologu dhe juristi i diplomuar. Familja e zgjedh avokatin, e nëse nuk zgjedh avokat, atë e cakton Qendra sipas detyrës zyrtare nga lista e përpiluar nga Oda e avokatëve. Ndihma juridike për fëmijën, respektivisht të miturin e vogël ose të madh është pa pagesë. Avokati është i detyruar të japë mendim juridik për rastin në formë të shkruar në afat prej shtatë ditësh nga biseda me ekipin profesional.
SANKSIONET PËR VEPRA PENALE DHE KUNDËRVAJTJE
Për veprim që me ligj është përcaktuar si vepër penale ose kundërvajtje të kryera nga të miturit, në formë të njëjtë zbatohen dispozitat e Kodit penal, si dhe dispozitat e Ligjit për kundërvajtje dhe ligjet tjera në të cilat janë përcaktuar kundërvajtjet. Dispozitat e veçanta që vlejnë për kryerësit e mitur të veprave penale zbatohen nën kushte të përcaktuara në dispozitat e ligjit dhe ndaj personave të moshës madhore kur u gjykohet për vepra penale që i kanë kryer si të mitur, e me përjashtim edhe ndaj personave që kanë kryer vepër penale si të moshës madhore të vogël. Ndaj të miturit të vogël për veprim që me ligj është përcaktuar si vepër penale mund të shqiptohen vetëm masa edukuese. Ndaj të miturit të madh për veprim që me ligj është përcaktuar si vepër penale mund të shqiptohen masa edukuese, e me përjashtim mund t’ i shqiptohet dënim ose masë alternative. i mituri i madh mund të lirohet nga dënimi nën kushtet e përgjithshme të përcaktuara me Kodin penal.