International Studies Review - Issue 19 vol 6 alb | Page 19

Hyrje
Me ligj rregullohet veprimi me fëmijët në rrezik dhe me kryerësit e mitur të veprimeve që me ligj janë përcaktuar si vepra penale dhe kundërvajtje, përcaktohen kushtet për zbatimin e masave të ndihmës, të kujdesit dhe mbrojtjes, masave edukative dhe alternative dhe për ndëshkimin e të miturve; pozita, roli dhe kompetencat e organeve që marrin pjesë në veprimin me fëmijët në rrezik dhe me kryerësit e mitur të veprimeve që me ligj janë përcaktuar si vepra penale dhe kundërvajtje dhe aplikimi i masave dhe i ndëshkimeve edukative dhe alternative. Me ligj rregullohen masat për mbrojtjen e të miturit, viktimë e veprave penale dhe masat për parandalimin e devijimit të të miturve.
Qëllimet e ligjit për të drejtat e të miturve dhe të zbatimit të tij janë realizimi i interesit prioritar dhe mbrojtja e të miturve nga kriminaliteti, dhuna dhe nga çfarëdo qoftë forme e rrezikimit të të drejtave dhe lirive të tyre dhe zhvillimin e tyre të drejtë; mbrojtjen e të miturve kryerës të veprave që me ligj janë cilësuar si vepra penale dhe kundërvajtje të përsëritura, socializmin e tyre, edukimin dhe riedukimin, ndihmën dhe përkujdesjen e të miturve dhe mbrojtjen në procedurë para gjyqit dhe para organeve të tjera të të drejtave dhe lirive të tyre të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, Konventën e të drejtave të fëmijës dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare për pozitën e të miturve në sistemin e drejtësisë, të ratifikuara në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.
Masa ose sanksioni që i shqiptohet të miturit duhet t’ i përgjigjet personalitetit të tij, peshës së veprës që me ligj është përcaktuar si vepër penale ose kundërvajtje dhe pasojat e saj, nevojën e edukimit të tij, riedukimin, arsimimin dhe zhvillimin, me qëllim të sigurimit dhe mbrojtjes së interesit më të mirë për të miturin. Për veprimin e të miturit që me ligj është përcaktuar si vepër penale ose kundërvajtje, organet kompetente dhe shërbimet sipas rregullit nuk ndërmarrin procedurë gjyqësore, që të mënjanohet ndikimi i dëmshëm ndaj të miturit, përveç nëse cilësitë personale të të miturit dhe rrethanat në të cilat është kryer veprimi nuk tregojnë për nevojën e mbajtjes së procedurës gjyqësore. Procedura gjyqësore sipas rregullit, zbatohet vetëm në rastet e parapara me ligj, nëse i mituri ka kryer vepër që me ligj është përcaktuar si vepër penale për të cilën është paraparë dënim me burg prej tre vjet ose dënim më i rëndë, ose në rast kur qëllimi i masave ose sanksioneve të përcaktuara me ligj nuk mund të arrihet pa procedurën e tillë.
I mituri ka të drejtën e mbrojtjes në gjykatën kompetente kundër aktvendimeve të marra në procedurë administrative. E drejtë themelore e të miturit është që procedurën ndaj tij ta mbajë dhe sanksionet e përcaktuara me ligj t’ i shqiptojë vetëm gjykata kompetente për kriminalitetin e të miturve. Masat e tjera të përcaktuara me ligj mund t’ i shqiptojnë edhe organet tjera të specializuara.