Zgjimi Islam Zgjimi Islam nr.9 | Page 8

Një koincidencë e papritur u gërshetua mes vizitës sonë në muzeun e Rozafës me vet historikun e tij, përkatësisht me historikun e Shkodrës dhe të pavarësimit të saj. Ishte flamuri i vendosur në katin e dytë të këtij muzeu dhe data 19.3.1914, pikërisht e njëjtë me atë të vizitës sonë 19.3.2011. Pas kësaj vizite udhëtimi jonë u orientua drejt liqenit të Shkodrës duke kaluar urën e vjetër të Bunës, u ndalëm në Shirokë, një vend turistik me restorante e me lokale të ndryshme që e bënin qëndrimin e vizitorëve si atyre të huaj e vendas të ndihen sa më mirë. Peizazhi i liqenit dhe kodrat përreth përziheshin me një mjeshtëri të përsosur, duke dhënë një pamje spektakolare për syrin e vrojtuesit. Megjithëse moti ishte i vrenjtur prapë ai nuk mund të na prishte disponimin, në saje të ngjyrave të shumta që dilnin nga liqeni duke reflektuar si një pasqyrë magjike qiellin e mbushur me re. Mbas kësaj eksperience të bukur që kaluam në liqen, shkuam në ambientet e konviktit të Medresesë. Rënien e muzgut e përjetuam me një entuziazëm të madh, sepse dolëm për t’u shëtitur në Shkodër dhe për t’i vështruar bukuritë e saj, xhamitë e mëdha e sidomos atë të Ebu Bekër Sedik. Kjo xhami ndodhet në qendër të qytetit, e cila i ka dy minaret, dhe karakterizohet me ngjyrë të bardhë nga jashtë. Aq e madhe është kjo xhami, sa kur hyn brenda saj, vetja të duket shumë i vogël përball gjithë kësaj strukture gjigante. Xhamia e Parucës është një tjetër xhami, që gjendet në qendër të qytetit. Për dallim nga xhamia e lartpërmendur, muret e kësaj xhamie nga brenda janë prej mermerit me ngjyrë të kaltër mbushur me plot flora. Erdhi dita tjetër dhe qëndrimit tonë në Shkodër i erdhi fundi, kujtimet dhe mbresat që na la ajo nuk do t’i harrojmë kurrë. Nga një qytet me tradita siç është Shkodra, u nisëm në Tiranë, ku 1/3 e popullsisë së përgjithshme banon në këtë qytet. Këtu e kaluara përzihet me të tashmen, objektet relikte të së shkuarës mishërohen me ndërtesat e larta duke treguar zhvillimin ekonomik që po pëson qyteti. Metropoli i Shqipërisë, atje ku shqiptarët e provincave lëvizin nga vendbanimet e tyre drejt këtij qyteti kaq të madh dhe të zhurmshëm, për të gjetur punë dhe një jetë sa më të mirë. Në fillim të arritjes sonë në Tiranë vizituam Medresenë “Ibrahim Dalliu”, e themeluar më 1954, nga imam haxhi Vehbi Dibra, aso kohe kryemyftiu i Shqipërisë. Vizita në Medrese megjithëse qe e shkurtër, mjaftoi për t’i parë ambientet e brendshme të kësaj godine. Vizita jonë u zhvendos nga Medreseja në xhaminë Et’hem Beu e cila gjendet në qendër të qytetit. Kjo xhami është 08 REPORTAZH nga objektet e pakta të kulteve që i rezistoi regjimit komunist i cili mbi 30 vjet me radhë e ndaloi besimin në Shqipëri, dhe u bë i pari vend ateist në botë, duke shkatërruar xhami, teqe, kisha dhe shumë kulte dhe simbole fetare. Kjo xhami u ndërtua më 1789, nga Et’hem Beu dhe u përfundua në vitin 1821, nga djali i tij. Qëndruam sa qëndruam në xhami, më vonë bëmë shëtitje në qytetin e bukur të Tiranës derisa erdhi koha për t’u kthyer në Kosovë. Të paktat janë fjalët për ta përshkruar këtë udhëtim. Kur studentët hynë në kufirin e shtetit shqiptar, fytyrat e tyre ishin të lumtura, sepse ky moment i ktheu në çastet e sakrificave të popullit shqiptar të Kosovës, pengesave që kishin për ta vizituar Shqipërinë gjatë sundimit serb nga njëra anë, dhe dorës së mëshirës së treguar nga vëllezërit dhe motrat e tyre nga Shqipëria në kohën kur ishin të përndjekur nga vatrat e tyre gjatë luftës. Sakrificë shumëvjeçare e cila më në fund rezultoi me pavarësimin e shtetit të Kosovës. Ky moment i vizitës nga ana e studentëve lidhet me tre vjetorin e pavarësisë. Si çdo udhëtim që ka fillimin e tij, po ashtu ka edhe fundin. E fundi i çdo udhëtimi është i hidhur, e sidomos kur në udhëtim ja kalon mirë, dhe përjeton ndjenja të veçanta e lëre tani nëse bëhet fjalë për Shqipërinë. Megjithatë nuk do të thotë që studentët e FSI, s’do ta vizitojnë më Shqipërinë, por, përkundrazi tani lidhjet tona janë edhe më të forta, ngase organizimet e tilla janë dobiprurëse. Valter NASUFI