Zgjimi Islam Zgjimi Islam nr.9 | Page 10

Intervistë
10

Intervistë

Zgjimi Islam: Çfarë janë raportet tuaja me Universitetin e Prishtinës?
Fakulteti i Studimeve Islame ka marrëdhënie të mira me Universitetin e Prishtinës. Mësimdhënës nga Universiteti i Prishtinës mbajnë ligjërata tek ne. Kuadrot e tyre janë aktivë në hartimin e referateve për mësimdhënësit tanë për tituj akademik. Studentët tanë regjistrohen në studime pasdiplomike në fakultete të ndryshme. Kjo do të thotë se diplomat e Fakultetit tonë janë të pranueshme. Po ashtu kemi filluar bisedimet për mundësinë e inkorporimit të Fakultetit të Studimeve Islame në kuadër të Universitetit të Prishtinës, që besoj se mund ta pasurojë diversitetin e Universitetit tonë publik me një fakultet të ri. Kjo do të ishte në interesin tonë kombëtar dhe atë fetar.
Zgjimi Islam: Cilat janë sfidat me të cilat ballafaqoheni ju si Fakultet i Studimeve Islame?
Fakulteti i ynë e filloi punën në dhjetor të vitit 1992. Në atë kohë Kosova po përjetonte represionin më të madh të okupimit serb. Kjo do të thotë se Fakulteti filloi punën në kushte dhe rrethana tejet të vështira. Megjithatë, ai vazhdoi punën e tij, duke lëshuar shtat me kalimin e kohës. Entuziazmi ishte i madh si tek mësimdhënësit ashtu edhe tek studentët. Fakulteti ishte vendosur në objektin e vjetër të Medresesë së Mesme“ Alaud-din”, ku vazhduam mbajtjen e mësimeve deri më 18 tetor 2010, kur edhe u bë transferimi në objektin e ri. Andaj, si të gjitha institucionet tjera të Kosovës, edhe Fakulteti i Studimeve Islame nuk është imun ndaj sfidave të ndryshme. Për të ekzistuar dhe zhvilluar aktivitetin e vet një institucion i lartë edukativo-arsimor, siç është Fakulteti ynë duhet të ketë një mbështetje të fuqishme financiare dhe një buxhet stabil. Burimi i vetëm i financimit të FSI-së është Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës, e cila buxhetin e saj e siguron nga ndihmat vullnetare të besimtarëve. Për këtë, puna e parë që duhet bërë është sigurimi i buxhetit të FSI-së, që mund të konsolidohet si institucion i pavarur për hartimin e planit të zhvillimit të tij në të gjitha segmentet. Sfidat tjera janë ato të përgatitjeve të kuadrove të reja që të jemi në koherent me kohën në të cilën po jetojmë. Islami si fe për ditë e më shumë është prezent në të gjitha mediet botërore. Andaj, për tu ballafaquar me ato duhet të njihemi me temat dhe problemet të cilat kanë objekt islamin dhe çështjet që kanë të bëjnë me të. Këtë mund ta bëjnë vetëm kuadrot e përgatitura mirë, që i përcjellin ngjarjet nga afër.

10

Zgjimi Islam: Çfarë është nota mesatare e studentëve tuaj në përgjithësi?
Në përgjithësi, në Fakultetin tonë kemi studentë të mirë dhe të edukuar. Ata janë të rregullt në ligjërata. Angazhohen gjatë tërë vitit në studime. Për këtë edhe rezultatet nuk mungojnë. Ka dallime prej gjeneratës në gjeneratë, por në përgjithësi rezultatet janë për çdo lëvdatë.
Zgjimi Islam: A ndan fakulteti juaj bursa për studentë të dalluar?
Fakulteti i Studimeve Islame, nuk ka buxhet të dedikuar për bursa. Por, ai për çdo vit i propozon Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, duke filluar prej vitit të parë deri në vitin e katërt për t’ u ndarë nga dy bursa për studentët më të mirë. Studentët që e kanë gjendjen e vështirë ekonomike, Fakulteti i liron nga pagesa e semestrave.
Zgjimi Islam: Një këshillë për fund për studentët e FSI-së …. Kam bindjen se studentët dhe studentet e FSI-së, studimet e tyre nuk i konsiderojnë vetëm si aspekt i thjeshtë i arritjes së diturisë. Angazhimin e tyre konsiderojnë në kuadër të një misioni të gjerë islam, që njerëzit t’ i udhëzojnë në rrugën drejtë të Islamit. Ju jeni kërkues të diturisë, por edhe bartës të mesazhit. Sfidat para jush dhe rreth jush janë të shumta. Bëhuni të fuqishëm para furtunave dhe mos u dorëzoni. Islami le të jetë udhërrëfyes i juaji. Fakulteti le t’ u shërbejë vetëm si stacion i parë në arsimimin dhe edukimin tuaj të mëtutjeshëm.
Intervistoi: Bujar Isma