RINIA 12/10/2013 | Page 11

Erich Maria Remarque

3

... "O ti atje lart!" foli ai duke iu drejtuar dritares së ndriçuar, dhe qeshi, dhe nuk e kuptoi që po qeshte. "Ti dritëz e vogel, ti vegim i nje zane, ti fytyrë që ushtron një pushtet të çuditshëm mbi mua, këtu mbi këtë planet, ku ka me qindra e mijëra fytyra të tjera, më të mira, më të bukura, më të mençura, më të çiltra, më besnike e më të afrueshme, o ti rastësi që m'u ngatërrove një natë nëpër këmbë atje në rrugë e që hyre në jetën time, ti ndjenjë e përplasur brigjeve, pa mendim, por robëruese dhe që rrëshqite nën lëkurën time në natë gjumi, ti, që s'di për mua pothuajse asgjë tjetër përveç asaj që të rezistova, dhe që prandaj m'u hodhe ndër krahë, deri sa nuk të rezistova më, ti, që deshe të vazhdoje pastaj rrugën tënde, të mërgoheshe prej meje, të përshëndes, të përshëndes!

Ja tek po qëndroj këtu dhe s'ma merr mendja se do të qëndroj edhe një herë tjetër kështu. Shiu më depërton nën këmishë dhe është më i ngrohtë e më i ftohtë e më i butë se duart e tua dhe lëkura jote. Po qëndroj këtu i mjerë dhe me kthetrat e xhelozisë në bark, duke të të kërkuar, duke të të përbuzur, admiruar e adhuruar, sepse ke hedhur rrufenë që ndezi, rrufenë që dremit në çdo gji, shkendijën e jetës, zjarrin e zi.

Po qëndroj këtu, jo më si një i vdekur me leje, më pak cinizëm, sarkazëm e me një çikëz guxim, jo më i ftohtë; jam përsëri i gjallë, qoftë edhe duke vuajtur, por sërish i prekshëm nga stuhitë e jetës, i rilindur e i rikthyer në pushtetin e saj të thjeshtë! Qofsh bekuar ti Mado, me atë zemrën tënde shtegtare, ti Nike me atë aksentin tënd latin! Ëndërr dhe mashtrim, pasqyrë e thyer e një perëndie të ngrysur, o ti që s'di asgjë, të falenderoj! Kurrë s'kam për të ta thënë, se ti do të nxirje përfitimet e tua nga kjo, por ti ma ke rikthyer atë që s'do të ma jepte as Platoni, as krizantemat, as e gjithë poezia dhe as e gjithë mëshira, as dëshpërimi dhe as më e forta dhe as më e durueshmia shpresë: Jetën e thjeshtë, të fuqishme, të mirëfilltë, që më dukej si një krim në këto kohra midis njërës katastrofë dhe tjetrës! Të falenderoj! Duhej të të humbisja që ta merrja vesh këtë! Mbetsh me shëndet!

Komente mbi librin

"Harku i Triumfit është libri më i bukur dhe më i plotë i shkrimtarit, qendra e gjithë veprës së tij."

Ismail Kadare