Libri im
2
Mbi librin
Parisi i shkrimtarit gjerman Erih Maria Remark në romanin e tij Harku i Triumfit është një nga më dramatikët në letërsi. Në një rajon tepër të njohur për të gjithë të huajt që vijnë në këtë qytet, në zonën rreth sheshit Etual, fillimi i avenysë Vagram, fillimi i Shans Elizesë, restoranti i njohur Fuke, avënyja Zhorzh V, ura e Almës në një zonë pra të ngushtë rreth Harkut të Triumfit, vërtiten personazhet e kësaj historie të rëndë e të pikëllueshme.
Harku i Triumfit është një roman i fuqishëm, i bukur, dramatik. Ai është shkruar me nerv, me ngjyra të forta, dhe faqet e tij pasionante, të përkthyera me mjeshtëri nga Robert Shvarc, e rrëmbejnë lexuesin në universin që shpalosin.
Fragment nga libri
... Një bubullimë shurdhuese u rrokullis befas përmbi qytet. Pika shiu filluan të përplasen pas gjetheve të luleve. Vuri re se si rruga zuri të pikëlohej në argjend të zi. Shiu erdhi duke u shtuar. Pikat e rënda e goditën në fytyrë. Dhe përnjëherësh ai s'po merrte vesh në ishte qesharak apo i mjerë, në vuante apo nuk vuante, dinte vetëm qe po jetonte. Po jetonte! Ai ekzistonte e jeta e kishte pushtuar sërish, po e shkundte e, ai nuk ishte më spektator, nuk qëndronte më jashtë saj; shkëlqimi i fortë i ndjenjës se pakontrollueshme vërshonte përsëri nëpër damarët e tij, si zjarri nëpër oxhakë furnaltash; dhe nuk kishte pothuaj pikë rëndësie në ishte i lumtur apo fatkeq; ai jetonte dhe e ndjente fort që po jetonte dhe kjo ishte mjaft!
Vazhdonte të rrinte nën shiun që vërshonte mbi të porsi një breshëri qiellore mitralozësh.
Rrinte atje, ishte shi e shtrëngatë e ujë, e tokë njëherësh; rrufetë e horizonteve kryqëzoheshin brenda tij; ai ishte edhe krijesë, edhe element i natyrës; asgjë s'kishte më emër dhe kështu të gjitha dukeshin si të vetmuara e si të braktisura, të gjitha ishin njëlloj, edhe dashuria, edhe uji që derdhej tatëpjetë, edhe ato ndriçimet e zbehta mbi çatitë, edhe toka që dukej sikur po gufohej; s'ekzistonin më kufij dhe ai vetë ishte pjesë e të gjitha këtyre. Lumturia dhe fatkeqësia mbeteshin gëzhoja boshe të flakura tutje nga ndjenja e gjithpushtetshme se po jetonte dhe se po e ndjente se po jetonte.
Ne foto Erich Maria Remarque