At Murdok Soulis qe për kohë të gjatë meshtar i famullisë në shqopishtën e
Baluerit, pranë luginës së Dulit. Ky plak me pamje të sertë, me fytyrë të zbehtë dhe që ia fuste frikën gjer në palcë dëgjuesve të tij, i kaloi vitet e fundit të
jetës pa ndonjë të afërm, shërbyes apo çdolloj shoqërie tjetër njerëzore, në
famullinë e vogël e të vetmuar nën Shtëpinë e Shauve. Pavarësisht vetëpërmbajtjes së hekurt të tipareve të tij, syrin e kish të egër, të frikësuar, të pasigurt dhe kur ndalej për një çast gjatë rrëfimeve mbi fatin e njerëzve që nuk
pendoheshin, dukej sikur shikimi i tij depërtonte përmes stuhive të kohës
gjer tek tmerret e përjetësisë. Shumë të rinj që vinin për t’u përgatitur për
Kungimin e Parë mbesnin tmerrësisht të shushatur nga ligjërata e tij. Çdo
vit, në të dielën pas datës shtatëmbëdhjetë të gushtit, mbante një predikim
mbi rreshtin e tetë të letrës së parë të Shën Pjetrit apostull, “djalli si një luan
ulëritës”, në të cilën ishte mësuar t’ia kalonte edhe vetes, qoftë për natyrën
tmerronjëse të çështjes, qoftë për frikën që përçonte qëndrimi i tij në altar.
Fëmijët frikësoheshin gjer në të dridhura, ndërsa pleqtë, në pjesën e mbetur
të ditës, dukeshin më profetikë se kurrë, të mbushur me ato të fshehtat që
Hamleti kundërshtonte. Edhe vetë famullia që qëndronte pranë ujërave të
Dulit mes disa pemëve fort të dendura, me Shaun që e vëzhgonte nga njëra
anë, ndërsa në tjetrën maja kodrash plot shqopë që ngriheshin drejt qiellit,
kish filluar të shmangej pak pas ardhjes së At Soulisit gjatë orëve të muzgut
nga të gjithë ata që e vlerësonin veten si të përgjegjshëm, madje kryefamiljarët të ulur në birrarinë e katundit, tundnin kokat sëbashku sa herë që i vinte
mendimi për të kaluar natën vonë në atë vend aq të lig. Për të qenë më të
saktë, ishte një pjesë e veçantë që shihej me druajtje më të madhe. Famullia
shtrihej në mes të rrugës kryesore dhe ujërave të Dulit, me nga një faqe përballë secilës; shpinën e kishte të kthyer nga fshati i Baluerit, i cili ishte larg
gati gjysmë milje, ndërsa në ballë të saj, një kopësht i zhveshur, i rrethuar me
ferrëmanzë, zinte tokën mes lumit dhe rrugës. Shtëpia ishte dy kate e lartë,
me dy dhoma të mëdha në secilën. Nuk dilte menjëherë në kopësht, por në
një lloj shtegu të shtruar me kalldrëm, i cili në një pjesë zbriste në rrugën
kryesore dhe në tjetrën mbyllej me shelgje e shtogë që rriteshin pranë rrjedhës së ujit. Ishte pikërisht ky shteg me kalldrëm që gëzonte nam të keq midis banorëve të Baluerit. Famullitari shpesh ecte atje pasi kish rënë errësira,
duke rënkuar me të madhe lutjet e tij të pashqiptuara dhe kur nuk ndodhej
në shtëpi e kur dera e famullisë ish kyçur, vetëm shkollarët më të guximshëm kuturisnin, me zemrën që i rrihte fort, të luanin “ndiq udhëheqësin”
përgjatë atij vendi gati legjendar.
Kjo gjendje tmerri që mbështillte një njeri të Zotit me personalitet të panjollë,
ishte çështje e zakonshme habie dhe hetimi mes të huajve të paktë që rastësia apo puna i degdiste në atë vend të panjohur e të largët. Por shumica e
+