Mund të përmend disa prej tyre.
Vendimarrja është e shpejtë dhe efiçentë. Cilësia e saj ndikohet
nga një staf i kufizuar por i specializuar mirë profesionalisht,
dhe jo nga sasia e stërmadhe e burokratëve.
Lidhja mes procesit akademik dhe kërkimit shkencor është
më e fortë se asnjëherë më parë në arsimin jopublik.
Institutet e kërkimit shkencor bashkangjitur universiteteve
janë organizmat e zgjidhjes së këtij ngërçi.
Liberalizimi i dijeve dhe i cilësisë së mësimdhënies sigurohet
nëpërmjet mjediseve të teknologjisë së lartë dhe bibliotekave
të aksesueshme fizike dhe online, të vendosura në dispozicion
të studentëve çdo orë të ditës akademike.
Marrëdhënia mes studentit dhe pedagogut, ne universitetin
privat ndërtohet brenda të gjithë kornizës së një marrëdhënieje
njerëzore, pa kaluar në ekseset e dominancës për shkak të
pushtetit të njërit mbi tjetrin. Kjo detyrimisht sjell përfshirjen
e ajkës së studentëve në proçeset e vendimarrjes me rëndësi
të madhe për fatet akademike të universitetit. E thënë më
shkurt, kjo është edukim nëpërmjet përgjegjësisë mbi të
ardhmen e çdo studenti.
Universitetet private, në masë të madhe kanë zgjidhur
problemin e përkthimit të njohurive në aftësi profesionale.
Lidhjet akademike të interesit me organizata kombëtare dhe
ndërkombëtare, të cilat kërkojnë talente por edhe të rinj të
përkushtuar janë mënyra më e mirë që universiteti privat
të promovojë studentët. Disa shembuj nga praktika, kanë
treguar se për universitetet private, studentët e aftë janë
asete mbi të cilët është investuar vazhdimisht e vazhdimisht.
Sigurisht, në dallim nga administrata publike, institutet
jopublike synojnë fitimin dhe për ta arritur, në to duhet të
punojnë më të aftët.
Jo të gjithë duhet të pajtohen patjetër me arsimin universitar
jopublik. Ashtu sikurse askush nuk e ka imperativë të
kundërshtojë patjetër arsimin universitar shtetëror. Por
gjithësekush ka detyrimin që të investojë më të mirën tek
vetja. Kjo duhet të shërbejë si ideologjia e vetme e kohëve
studentore. Unë i ftoj të gjithë lexuesit, që të kuptojnë
rëndësinë e paçmueshme të universitetit jopublik, që të paktën
për këtë kohë, është garanti kryesor i të nxënit maksimal për
këdo që e ka vullnetin dhe dëshirën për të nxënë.
Egon Loli