Pa Fokus Mars | Page 26

“Për çfarë i pagova këto para?” – është pyetja që çdo student i drejton vetes, dhe jo vetëm këtyre ditëve të karakterizuara nga radhët e gjata pas zyrave burokratike dhe financiare për të shlyer tarifat studentore. Si çdo student tjetër, në pamundësi për të gjetur një punë të qëndrueshme, verdhushkat mi paguajnë prindërit. Të gjetura borxh me shkop e me strajcë. Si shumë prindër të tjerë për të cilët shkollimi ynë është e vetmja shpresë që ne ta bëjmë jetën pakëz më të rehatshme dhe të bukur se ta, edhe pse ky iluzion ka nisur të zbehet me trishtim në imagjinatën e tyre duke parë rritjen e përshkallëzuar të tarifave dhe krizat në të cilat ka rënë e tashmja bashkë me të ardhmen tonë. Po për çfarë i pagova ato para mundi dhe djerse? Për rektorin që jo vetëm nuk i kundërshton reformat rrënuese në dëm të studentëve dhe universitetit, por ka deleguar zëvendësin e tij në krye të komisionit që i harton reformat në fjalë?! E për çfarë? Për të mbyllur kompromisin bastard me pushtetarët që më e pakta të mos procedohet penalisht për bëmat e tij dhe më e shumta të mos ikë nga karrigia e rehatshme burokratike?! Që të vazhdojë praktikat e korrupsionit partiak dhe institucional?! Që të spastrojë universitetin nga zërat kritikë dhe mendjet më të ndritura?! Për dekanët që i kanë kthyer fakultetet në zyra punësimi të familjarëve dhe miqve partiakë?! Që t’i dërgojnë pushtetit kërkesa për rritje tarifash?! Që të shpërndajnë bursa ekselence Të bëhemi bashkë me zemër, me mëndje dhe me trup që të kërkojmë atë çka arsyeja e falimentuar burokratike dhe qeveritare e baltos si të pamundur, por që arsyeja universitare dhe publike e shpall më se të mundur: ARSIM PUBLIK FALAS dhe pikë! për shërbëtorët e tyre të bindur?! Që të kryejnë investime luksoze në gjëra të padobishme ndërkohë që universiteti gëlon nga mungesa e kushteve elementare?! Që të mos arrijnë të prodhojnë asgjë universitare, as revista mirëfilli shkencore dhe as aktivitete studentore?! Për çfarë pra, dreqi e marrtë?! Për profesorët që jo vetëm nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi për përgatitjen e studentëve, por hedhin sytë në xhepat e tyre përmes materialeve voluminoze të mbushura me broçkulla që kripin çmimin e tyre?! Që të lexojnë fjalë për fjalë dhe presje për presje atë ç’kanë hedhur në lëndë dhe asgjë më tepër?! Që të tregohen arrogantë, mospërfillës apo më keq të korruptuar?! Që të heshtin përballë poshtërsive të eprorëve dhe padrejtësive ndaj studentëve?! Për çfarë pra, për çfarë?! Për sekretaret që mezi guxon t’i pyesësh për të drejtat e tua dhe detyrimet e tyre pa marrë ndonjë përgjigje të pahijshme, të mangët dhe ironike?! Që të humbasim provimet si zakonisht?! Që të na marrin dy javë kohë për një vërtetim?! Që të vazhdojnë të jenë të çorganizuara?! Që nuk arrijnë të ndërtojnë asnjë praktikë lehtësuese në dhënien e informacionit si për punën e tyre, ashtu edhe për studentët?! Për çfarë, për çfarë, për çfarë?! Apo për konviktet skandaloze me dhomëzat e tyre të ngushta pa ngrohje, pa mobilie, pa higjienë dhe ku rrasen si peshq të konservuar nga tri a katër vetë?! Për mykun dhe lagështirën?!