Pa Fokus Mars | Page 25

23:25. Faqe bosh. Bosh dhe e bardhë. Prapë bosh? E pse duhet të jetë gjithnjë bosh? (sheh murin; përsëri i bardhë!) Dreqi e marrtë, dikush t’i mbushë këto hapsira! Hidhni pak ngjyra mbi ‘to, ca fjalë, lule apo gjethe të rëna... Mbushini me jetë! Heshtje... -Okej, e bëjmë kështu: Kemi një gjethe që bie nga pema. Më thuaj ç’sheh? -Një gjethe që bie nga pema. (!) -Tjetër? -Një trung dhe shumë gjethe të tjera. -Vetëm kaq? -Oh, prit, një gjethe tjetër po bie. -Po trungu? -Trungu është akoma aty. -Di të më thuash pse? (Mendohet një copë herë) -Dikush duhet të qëndrojë... Dua të them se, në qoftë se largohet edhe ai, ç’do të ndodhë me pemën? A do të mund të quhet më pemë? -Si mendon ti? -Ndoshta, por s’do të jetë më e njëjta. Gjethet bien për t’u rikthyer prapë, e në qoftë se trungu nuk do të jetë më aty, kush do t’i presë ato kur të vijnë? Është e tmerrshme të kthehesh e të gjesh një hapsirë boshe në vendin ku supozohej të kishte jetë. E paimagjinueshme! -Atëherë, imagjino jetë. -Duhet trungu. -Jo mik i dashur, nuk ke nevojë për trung. E pse ta kufizosh veten me një trung, fundja? Harroje. Merr dicka tjetër. Një shkronjë. -U (e madhe e shtypit). -Më pëlqen kjo shkronjë. Mbushe me pak ngjyrë të verdhë, dhe ja ku e ke trungun. Merr një laps blu e zhgarravit mbi të. E pastaj shto ca viza të vogla të kuqe nëpër zhgarravinën e fundit. A nuk të duket kjo pema më e bukur që ke parë ndonjëherë? -Kjo është një pemë? -Në qoftë se do ti, po, është. Gjithçka mund të jetë gjithçka, për aq kohë sa ti e sheh si të tille. Mund të kesh një trung portokalli, në qoftë se me të vërtetë e do. Mund të kesh gjithçka. Mjafton t’i japësh jetë asaj faqeje bosh. Mjafton të mos jesh ti ajo faqe bosh. -Nuk dua të jem. -Nuk duhet të jesh.