International Studies Review - Issue 19 vol 6 alb | Page 85

Shumëgjuhësia si pjesë e një kulture të re të edukimit gjuhësor, sfidë dhe vision i së ardhmes Europiane
Ne sot e dimë se politikat gjuhësore të BE-së janë të bazuara në respektimin e diversitetit gjuhësor në të gjitha Shtetet Anëtare dhe në krijimin e një dialogu ndërkulturor në të gjithë BEnë, por duhet të krijohet dhe një frymë më e madhe pozitive për mësimin e gjuhës amtare të popullsisë emigruese e cila është një realitet i pashmangshëm në Europë.
Mësimi në gjuhën dhe kulturën e atdheut luan një rol të rëndësishëm për zhvillimin gjuhësor dhe të identitetit si dhe për përkujdesjen për shumëgjuhësinë, si një pasuri personale dhe shoqërore me shumë vlerë. Lidhur me këtë fakt hulumtimet dhe rekomandimet e Këshillit të Europës janë të qarta prej shumë kohësh.
Mësimi i gjuhës amtare jep një ndihmesë të rëndësishme në zbatimin e dy postulateve gjuhësore të Bashkimit Europian. E para ka të bëjë me përfitimin e së paku dy gjuhëve të huaja, kurse e dyta kërkon nxitjen e shumëgjuhësisë derisa të gjithë shtetësit të kenë njohuri jo vetëm të gjuhës së tyre amtare, por së paku të zotërojnë dhe dy gjuhë të tjera( krah. Bashkimi Europian, 2005).
Por për zgjidhjen e këtij pretendimi është e rëndësishme që sistemi shkollor të ofrojë kushte të përshtatshme për mësimin e gjuhës amtare dhe t`i informojë prindërit për këtë dhe rëndësinë që ajo sjell. Për këtë, UNESCO mbështet gjuhën si një komponent thelbësor në edukimin ndërkulturor, në mënyrë që të inkurajojë mirëkuptimin në mes të grupeve të ndryshme të popullsisë dhe të sigurojë respektimin e të drejtave themelore. Me rritjen e emigrimit ndërkombëtar dhe integrimit evropian dhe shtete të tjera filluan ta njihnin MGJA-në dhe pjesërisht ta mbështesin atë. Veçanërisht në shtetet e reja të Bashkimit Evropian, njohja e minoriteteve kombëtare të tanishme solli krijimin në shkallë të gjerë të programeve për përkrahjen e gjuhëve të tyre të para, nga të cilat mund të përftonin edhe komunitetet e emigrantëve. Shkalla dhe lloji i mbështetjes shtetërore për MGJA-në ndikohet nga faktorë të ndryshëm. Fakti që MGJA-ja është e përhapur në shtete dhe qytete tradicionale të emigrimit dhe atje jepet edhe një mbështetje më e madhe shtetërore, tregon që prania e grupeve më të mëdha që flasin në gjuhë të huaj mund të nxisë përpjekjet shtetërore në këtë fushë. Megjithatë nuk mund të provohet një lidhje direkte me këtë të dhënë( Eurydice, 2009, 31). Një rol të rëndësishëm luajnë dhe faktorë të tjerë si objektivat politike të një komuniteti, struktura dhe veçanërisht centralizimi i sistemit shkollor.
Duhet të merren masa“ për të eleminuar diskriminimin në arsim në nivel të gjinisë, racës, gjuhës, fesë, origjinës kombëtare, moshës apo aftësisë së kufizuar ose ndonjë fenomeni tjetër të diskriminimit”. Të drejtat arsimore të personave që u përkasin pakicave si dhe personave indigjene duhet të respektohen plotësisht, nëpërmjet zbatimin të“ së drejtës për të mësuar në gjuhën e nënës dhe përdorimin e plotë të metodave kulturore të përshtatshme të mësimdhënies e komunikimit dhe transmetimit të njohurive”.
Edukimi duhet të bëhet jo vetëm në gjuhën e nënës, por edhe në gjuhën kombëtare ose zyrtare, si dhe në gjuhën globale të komunikimit, në mënyrë që minoritetet dhe popujt vendas të kenë mundësinë të marrin pjesë dhe të kontribuojnë, në komunitet. Arsimi duhet të rrisë ndërgjegjësimin për vlerën pozitive, kulturore dhe gjuhësore të diversitetit dhe për këtë qëllim duhet që kurrikula të reformohet për të promovuar një përfshirje reale dhe pozitive të historisë,