RINIA 12/10/2013 | Page 4

Tendence

2

Ndonëse e ndaluar njëzet apo tridhjetë vite më parë, duket se rroku është shndërruar në një nga rrymat më të pëlqyera të të rinjve sot. Si një adrenalinë e shpirtit të adoleshentit, rroku ka sjellë një stil të ri jete. Rrokerët kanë veshjen e tyre, këpucët e preferuara dhe sipas një stili të veçantë, aksesorët, modelin e flokëve, pijet e veçanta e padyshim një mënyrë të re të jetës. Rrok nuk dëgjon kushdo. Rrok dëgjojnë ata njerëz që vërtet e ndjejnë këtë rrymë, ato njerëz, që në shpirtin e tyre digjet "mazuti" i pasionit për këtë muzikë. Të rinjtë rrokerë gjithnjë e më shumë janë grupuar në grupet e tyre të vogla të shoqërisë, ku s'mund të ketë vend për asnjë që nuk e pëlqen këtë rrymë. Rroku është muzika e "pamundur" e një brezi më parë. Atë muzikë, që prindërit e tyre tentonin fshehurazi ta dëgjonin me antena të sajuara me kanaçe, sot fëmijët e tyre e shijojnë në shtëpi, në rrugë, në PUB-e, e kudo të munden në çdo minutë të ditës. Madje, të rinjtë pëlqejnë grupet e brezit të viteve '70-80. Arsyeja? Tepër e thjeshtë. Grupet e sotme, sipas shumicës së të rinjve, janë thjesht grupe komerciale dhe jo ato që përfaqësojnë denjësisht muzikën. Vitet e fundit muzika rrok jo vetëm që dëgjohet më shumë, por ka nisur dhe të krijohet nga vetë të rinjtë. Krahas legjendave të rrokut shqiptar si "Djemtë e Detit", "Elita 5", " Akullthyesit" apo prijësit të rrokut alternativ Bojken Lako me grupin e tij "Fish Hook", qëndrojnë grupe të reja dinjitoze me të rinj të talentuar. "Kaos in Order" apo "Lynx" janë dy prej tyre, që tentojnë dita-ditës të bëjnë muzikë të bukur për bashkëmoshatarët e tyre. Muzika e re është shoqëruar dhe me lokalet e veçanta, ku dëgjohet kjo dhe pa dyshim me dyqanet që shesin veshje për të apasionuarit e rrokut.

Rrok and Roll është një nga format e muzikës rrok, e lindur në vitet '40 në SHBA dhe më pas u përhap me ritme të shpejta në të gjithë botën. Muzika klasike rrok është luajtur me një ose me dy kitara elektrike. Muzika e hershme ishte një ndërthurje e disa rrymave muzikore si muzikë popullore e bluz, ku forma "elektrike" e tyre u përdor për herë të parë Memphis, Chicago, Neë Orleans, Texas, California. Lindja dhe zhvillimi i kësaj rryme përkoi dhe me një lëvizje të re sociale në Amerikë, për hypitë. Ishin hypitë ato që e përqafuan të parët këtë rrymë dhe e dëgjonin kryesisht në lokalet e errëta të rrugicave amerikane. Grupet e para si White Snake, Deep Purple, Rolling Stones, Queen, apo këngëtarë si Fredy Mercury, Elvis Preseley ndezën zemrat e shumë të rinjve në mbarë botën. Sot muzika rrok ka hyrë në fazën e revolucionit me shumë nën rryma si: Death, Trash, Punk Heavy Metal, Rock Alternative, British Hard Rock etj.

Ne foto James Hitfield