ossier
veprave letrare-artistike të trashëguar nga periudha e diktaturës komuniste.
Në sytë e familjes së tij, çuditërisht, Stivensoni ishte diçka më tepër se
një zhgënjim. I shtyrë nga i ati të studionte për inxhinieri ndërtimi faresh
dhe të plotësonte skenarin e stër-dëgjuar “vazhdo biznesin e familjes”,
ai shpejt e braktisi këtë lloj detyrimi moral dhe filloi studimet për drejtësi. Pas diplomimit nuk e ushtroi profesionin asnjë ditë të vetme, por
vendosi të bëhej shkrimtar e të udhëtonte. Veprat e tij të para që panë
dritën e botimit ishin pikërisht shënimet e udhëtimeve dhe ishte në
udhë e sipër që takoi gruan, e cila do t’i ndryshonte jetën, një amerikane e re, e pavarur, e fortë dhe e ndarë nga i shoqi, me emrin Fanny.
Ai ishte njëzet e pesë vjeç, kurse ajo tridhjetë e gjashtë, por që nga ai
çast nuk u larguan më kurrë nga njëri-tjetri. Ata u martuan në San Francisko, nga ku vazhduan odisenë e udhëtimeve në detrat e Paqësorit të
Jugut duke u vendosur përfundimisht në Samoa, bash atëherë kur në
Evropë e Amerikë, emri i Stivensonit ishte lartësuar njëherë me “Ishulli
i thesarit”, pastaj me “Çështja e çuditshme e doktor Xhekill dhe zotit
Hajd” në majat më marramendëse të letërsisë e njëkohësisht, bash
atëherë kur shëndeti i tij po merrte tatëpjetën.
Tregimi që kemi zgjedhur për këtë numër të revistës është një ndër
pjesët më interesante që më kanë zënë sytë ndonjëherë. “E mbrapshta
Zhanetë” është një histori thrilleri dhe horrori, shtrigash dhe priftërinjsh, dreqërish e demonësh, por më shumë se kaq, ajo është një gjetje
artistike që si rrallëherë në përkthim, mund të përcillej në gjithë origjinalitetin e saj në shqip. Nëse përpiqesh të lexosh tregimin në anglisht,
procesi i të kuptuarit do të jetë absolutisht tejet i vështirë për faktin e
vetëm se më shumë se treçereku i rrëfimit është shkruar në dialektin
skocez. Duke dashur të qëndroj brenda zgjedhjeve që ka bërë Stivensoni dhe me fatin e madh se gjuha jonë e pranon diçka të tillë, ajo
pjesë është përkthyer në dialektin tonë gegë, versioni verior i shqipes,
ashtu siç dialekti skocez është versioni verior i anglishtes.
Në përfundim, dua vetëm t’ju këshilloj, ashtu siç do të bënte vetë
Stivensoni. Mos udhëtoni për të shkuar në ndonjë vend, por thjesht për
të udhëtuar. Gjëja më e rëndësishme është të lëvizni.
Klea Vyshka
+