ossier
Robert Louis Stevenson
+
Të gjithë jemi udhëtarë në egërsinë e kësaj bote dhe gjëja më e mirë
që mund të gjejmë në udhëtimet tona është një mik i sinqertë. Kështu
ka thënë shkrimtari i mirënjohur skocez Stivenson, i cili udhëtimet i
kishte vërtet përzemër. Ka disa arsye përse pikërisht ky shkrimtar u
përzgjodh për të qenë në fokus të rubrikës “dossier” dhe nuk mund ta
mohoj se më e forta ishte lidhja e veçantë që unë kam me të. Stivensoni është i pari që kam patur kënaqësinë e madhe të përkthej dhe më
duket disi e çuditshme sepse në çastin kur mendon se je gati të thuash
çdo gjë për të, tashmë fjalët nuk të dalin. Pas gjithë asaj kohe që kam
kaluar në shoqërinë e veprave të tij, duke lexuar me vëmendje çdo fjali, duke analizuar çdo fjalë dhe duke u përpjekur të sjell në shqip vetë
frymën e veprës, tani më duket sikur ai ka ndikuar aq shumë tek unë,
sa më ka ndryshuar dhe stilin e të shkruarit. Vërtet e habitshme, por
pas përkthimit të disa punëve të Stivensonit, kam filluar të zgjatem më
shumë tek përshkrimet, ndikim ky tipik stivensonian që dëshmon edhe
njëherë tjetër se imtësitë e vogla janë ato që e përmbushin tablonë në
mendjet e lexuesve.
Arsyeja e dytë është origjina e tij. Stivensoni është skocez dhe nuk
mund ta lija pa përmendur këtë fakt pavarësisht gjendjes së turbullt
që ka kapluar Skocinë, sidomos kohët e fundit. Të gjithëve u kujtohet
përgjigja negative në referendumin për shpalljen e pavarësisë që ushtoi në vazhdën e padrejtësive që i janë bërë atij populli, megjithëse pak
e kuptuan se në të vërtetë skocezët e donin këtë pav arësi, por u trembën për pasojat ekonomike që do të vijonin. Sidoqoftë, jam e sigurt se
nga vendi që zë Skocia në të gjithë krijimtarinë e Stivensonit, ai do të
ishte një ndër mbështetësit më të flaktë të pavarësisë.
Arsyeja e tretë dhe e fundit që dua të përmend, sepse kështu rrezikoj
të vazhdoj gjer në pafundësi, është vetë origjinaliteti i Stivensonit si
shkrimtar. Dukuria për të cilën më vjen vërtet keq, është prania e tij
e pakët nëpër botimet e përkthimet e reja, meqë shumica e veprave
që ia kompletojnë tërësisht profilin si shkrimtar, mungojnë. Kur para
disa viteve desha të lexoj romanin “I Rëmbyer” (Kidnapped), si vajzë e
vogël që ende nuk ishte mësuar me anglishten, u habita që nuk e gjeta
të botuar. Atëherë vendosa të përkthej jo vetëm atë, por një vazhdë
shumë të rëndësishme veprash që pasqyrojnë zhvillimin e prozës, pasurimin e saj me nën-kategori të reja, eksperimentime të suksesshme,
në mënyrë që lexuesit tanë mos të vazhdojnë ta vuajnë mungesën e