ka të drejtë page, qoftë të përgjysmuar, kur kryen një punë. Por në fakt realiteti tregon fakte të
tjera. Janë pikërisht kompanitë më me emër në treg që punësojnë të rinj për periudha të shkurtra
pa të drejtë page dhe në raste të rralla këta të rinj punësohen dhe paguhen.
Një tjetër problem shqetësues i kësaj praktike janë orët e zgjatura të punës së papaguar. Të rinj të
apasionuar pas ekranit apo modës qëndrojnë me orë të tëra duke punuar në një firmë, duke kapërcyer orarin zyrtar të punës. Kjo në fakt duket sikur u shton pikë atyre në sy të shefave të kompanisë
dhe u jep shpresë se mbase puna e tyre e stërzgjatur do të vlerësohet në ditët në vijim, por shpesh
gjithë lodhja e tyre nuk merret parasysh. Një “cen” i këtij problemi është fakti se të rinjtë vendosin
vetë të punojnë për orë të tëra prandaj një firmë apo kompani justifikohet për këto shkelje të kodit
të punës me pretendimin se “po u bën nder këtyre të rinjve që punojnë në zyrat e tyre, që marrin
eksperiencë falas.” Por orët e zgjatura të punës sjellin dëme si në aspektin fizik ashtu edhe psikologjik tek të rinjtë kur ata kalojnë orë të tëra në punë, ndryshe nga punonjësit e tjerë.
Ndërsa në lidhje me rolin e sindikatave, punëtorët e profesioneve të pavarura kanë më shumë
nevojë për mbështetje dhe mbikqyrje nga sindikatat se punëtorët që punësohen me kontrata të
rregullta. Natyra e pasigurt e punës së pavarur dhe shqetësimi i punëtorëve se a do t’u aprovohet
kontrata e ardhshme nuk i shtyn këta punonjës që sindikatat të jenë në fokusin e tyre. Kjo për faktin
se punëtorët e industrive kulturore nuk kanë dëshirë të ankohen në lidhje me këto shqetësime duke
qenë se ata i pranojnë në mënyrë të vullnetshme kushtet e punës. Në këto lloj punësh nuk flitet për
rolin e sindikatave apo organizatave në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve apo për përmirësim
të kushteve të punës. Të rinjtë pa eksperiencë pune, të dëshpëruar për të gjetur një punë, të etur
për të krijuar reputacion dhe emër, pranojnë çdo kusht që të bëhen pjesë e mjediseve të punës që
aspirojnë.
B. Pasiguria dhe paqartësia
Ekziston një ndjenjë e madhe paqartësie pasi kur diçka shkon keq, të rinjtë fajësojnë vetëm veten
e tyre, meqë punojnë në mënyrë të pavarur. Kur pritshmëritë e tyre nuk plotësohen, ata zhgënjehen dhe demoralizohen. Kjo cilësohet si një nga anët negative të autonomisë dhe pavarësisë që të
rinjtë gëzojnë në botën e punës kreative.
Studiuesit kanë vënë re se zhvillimet e shpejta teknologjike, sjellin ndryshime edhe në modelin
e punës sidomos në fushën e televizionit. Këto ndryshime rrisin pasigurinë dhe paqartësinë tek
punëtorët, probleme këto të shfaqura që në vitet 1980. Kjo paqartësi shkakton shtres dhe pasiguri
për punonjësit pasi shumica e kontratave të punës në televizion janë afatshkurtra dhe nuk është
e sigurt nëse ato rinovohen. Përveç problemit të kontratave, një televizion gjithmonë e më rrallë
nxjerr njoftime për vende të reja pune, pasi një punëtor mund të kryejë disa punë me orare të zgjatura. Punonjësit kanë frikë se nuk do të mund të ndërtojnë një karrierë të gjatë në këto industri dhe
vazhdojnë të punojnë me shpresën se së shpejti do të gjejnë “punën fikse”. Shumica e punëtorëve
përjetojnë nervozizëm, ankth, apo edhe panik, shoqëruese të rregullta këto të orëve të punës sepse
ata asnjëherë nuk janë të sigurtë nëse kontrata e muajit të ardhshëm do të rinovohet apo nëse do
të ketë shkurtime në kompani.