Pa Fokus Shtator | Page 17

Marsi kishte ditë që kishte lënë zhurmën marramendëse të Tiranës, për të mos e kujtuar dhe jetuar ca ditë, jo se Tirana nuk i pëlqente, por se në ditët përvëluese të gushtit ia kishte më shumë ënda të merrte ca rreze dielli. Edhe aty ku vajti, gumëzhima e njerëzve sigurisht nuk i mungoi. Hapa pa fund... pushuesit rendin të etur drejt detit aq sa dukej se ai nuk kishte më vend për ta. Ngado shihje vetëm njërëz... njerëz kudo... ulur tre-katër nëpër shezllona apo edhe të shtrirë sa gjatë e gjerë buzë detit blu, aq sa duhet të bëje kujdes kur hidhje hapin se mund ta vendosje papandehur mbi shpinën e dikujt. Fëmijët ishin në një botë tjetër dhe nuk ndalnin së lozuri me lodra twndryshme plastike shumëngjyrëshe importi, apo edhe duke bërë kala anash detit blu, ku shpesh herë nuk nguronte të të vizitonte edhe ndonjë top që të kalonte fiu para fytyre dhe të linte pa fjalë, tamam si guak. Nuk mungonin as fallxhoret që ofroheshin për të të lexuar ‘’fatin’’ apo edhe shitësit ambulant të cilët sikur e kishin bërë me fjalë që në intervale 10 minutëshereklamonin me zë të lartë produktet e tyre: hajde coca-cola, fanta, neskafe, redbull..., erdhi fruti..., kallamoq taze... Pas gjithë këtyre zërave, prisnim të dëgjonim refrenin e cdo dite ‘’Erdhi Muharremi nga Golemi...’’ Kështu, mes kësaj batërdie zhurmash, zërash dhe lojrash, Marsi po zhvillonte pushimet e saj. Mbasditja po fillonte të zinte vend e dielli po qëndronte kryelartë mbi det, me një rrezatim të kuq dhe duke u bërë gati për të dhënë përshëndetjet e fundit për ditën që po lihej pas. Marsi si zakonisht në atë orë shkoi të shijonte kënaqësinë që të fal deti me freskinë e tij dhe për të hequr nga supet nxehtësinë e ditëverës. Teksa dilte nga deti, ajo ndjeu një shikim që dilte përtej syzeve dhe që po e përkëdhelte ngadalë. Edhe pse kokën nuk e ktheu pas, kishte ndiesinë që një palë sy po e përcillnin rrugës për në cadrën e saj. Fillimisht nuk shfaqi interes ndaj mori librin në dorë për të vazhduar leximin ku e kishte lënë. Por shikimi ngulmues vëmendjen i mori... Quhem Pol, ishin fjalët e para që thyen heshtjen. Kaq mjaftoi që biseda të fillonte dhe të rridhte më tej aq natyrshëm sa Marsi nuk e ndjeu diellin që filloi të fshihej ngadalë-ngadalë... Po kështu dhe Poli ‘’harroi’’ të ikte. Buzëmbrëmja po ulej lehtë e pa u ndier, mendimet Marsit ia mori, duke ia cuar përtej nga aty... Ndërkohë Pol u largua duke lënë takim për ditën më pas. Marsi qetësisht u afrua pranë detit blu dhe një kërkesë për ndihmë I drejtoi... Deti mes qetësisë së tij shkumën e dallgës furishëm vajzës ia hodhi mbi këmbë si një mesazh i koduar që tashmë njihnin prej kohësh vetëm ata të dy. Pushimet e mbetura Marsi i kaloi me Polin. Tashmë ata ishin bërë pjesë e pandarë e pushimeve të secilit. Marsi me një fanatizëm që edhe vetë nuk dinte që e kishte, ruante përjetimin e cdo takimi mes tyre, ditëve zgjimi bëhej me mendimin për të dhe netët ëndrrat e saj ai i pushtonte. Tashmë ajo i kishte të gjitha për pushimet perfekte: detin, diellin, rërën dhe Polin, ndaj vendosi të shijonte rrjedhën e tyre plotësisht. Gushti po rendte dhe ditët e fundit dukej se hapin e kishte bërë me vrap, aq sa Marsi nuk e ndjeu që fundi i pushimeve trokiti. Sigurisht që kjo gjë nuk i pëlqeu, fundi i tyre shënonte edhe fundin e qëndrimit të Polit në Shqipëri. Ai duhej të kthehej në Milano për të vazhduar atje punën dhe universitetin bashkë dhe Marsi duhet të kthehej në vendlindje për të vazhduar edhe ajo umiversitetin. Ndjenjat për Polin i ishin rritur dhe forcuar aq sa ajo nuk donte ta humbte atë, ndaj frika për të ardhmen kishte zënë vendin e gëzimit te Marsi. Ajo mundohej të mos e jepte veten. Kishte dëgjuar shumë për lidhjet në distancë që vazhdonin me komunikime virtuale, por nuk e kishte menduar asnjëherë se do vinte një ditë dhe kjo do të ishte zgjidhja e vetme për të vazhduar dhe ndjekur dashurinë e saj ... 17