Pa Fokus
Pa Fokus
Pse duhet studiuar
Filozofia?
Klementin Mile
Lektor në Universitetin
Europian të Tiranës
Filozofia duhet studiuar pikërisht sepse nuk na jep zgjidhje
për problemet që ndeshim në jetën e përditshme. Për zgjidhjen e këtyre problemeve ne përdorim konceptet, metaforat dhe teoritë e shkencave, ose përndryshe dijen matematike dhe besimin fetar. Por pas këtyre zgjidhjeve problemet
vazhdojnë duke u transformuar në probleme të reja dhe
pakënaqësia mbetet. Nga kjo histori dështimi vetëm filozofia
mbetet e pafajshme. Mbetet e tillë sepse i ka vëzhguar ngjarjet nga një distancë sigurie, apo siç do të thoshin metaforikisht disa, është pozicionuar në qiell për të vëzhguar se çfarë
ndodh në tokë. Le ta themi troç: nëse shkencat, matematika
dhe besimi fetar do na i kishin zgjidhur problemet, pozicioni i filozofisë do të dukej irrelevant dhe ekzistenca e saj e
kotë. Por ja që nuk është kështu. Koha në të cilën jetojmë
karakterizohet nga pakënaqësia dhe nihilizmi. Në shprehjet
e njerëzve gjen rëndom termin “asgjë”, gjen mungesën e
shpresës dhe cinizmi duket të jetë bërë forma e preferuar e
komunikimit.
Po çfarë mund të bëjë filozofia në këto kushte? A i ka mjetet
për t’u përballur me pakënaqësinë, a mund të na tregojë si
t’i japim kuptim absurditetit që ndeshim menjëherë sapo
kemi hedhur disa hapa nëpër botë? A mund të na bëjë të
shpresojmë drejtësi në një realitet që duket qartë se është
idhunshëm dhe i padrejtë?
Pasi filozofi i shquar Nietzsche shpalli vdekjen e Zotit, ne
kemi mbetur pa një autoritet suprem të së Mirës, të së Drejtës dhe të së Bukurës. Me fjalë të tjera, bota e Ideve për të
cilën fliste Platoni, nuk i flet më botës sonë empirike dhe
Njerëzit e kanë humbur busullën e jetës dhe askush dhe asgjë nuk i orienton më. Pas
vdekjes së Zotit mund të nxirren dy konkluzione: 1. Gjithcka lejohet; 2. Asgjë nuk lejohet. Interpretimi i parë është përdorur nga postmodernistët, të cilët i japin liri të plotë
njerëzve për të bërë gjithçka që dëshirojnë, pa asnjë kufizim, pasi nuk ka më një autoritet
që t’i ndalojë, apo ndëshkojë për veprimet e tyre të pamoralshme. Edhe vetë morali e
humbet kuptimin në këtë mënyrë dhe bëhet moral individual. Secili vendos vetë për të
mirën dhe të keqen. Pra, për t’i shpëtuar nihilizmit, postmodernistët na dërgojnë drejt një nihilizmi edhe më të rrezikshëm. Po të ndjekësh rrugën e tyre,
siç bëjnë shumë të rinj sot, pamundësohet të jetuarit së bashku në komunitet
dhe pamundësohen shumica e aktiviteteve sociale. Kjo është rruga drejt konfliktit dhe luftës, ose siç do të thoshte filozofi i shquar anglez Hobs, rikthimi te
Gjendja e Natyrës.
Vecse kemi edhe konkluzionin alternativ, pra, që pas vdekjes së Zotit, asgjë
nuk lejohet. Kjo sepse me humbjen e autoritetit bota është
bërë sërish e panjohur për ne, është bërë si një pyll i errët
ku mund ta humbasësh lehtësisht rrugën. Për këtë arsye,
çdo hap që hidhet duhet matur mirë. Me fjalë të tjera, teoria duhet t’i paraprijë praktikës dhe dija filozofike duhet t’i
paraprijë shkencave dhe matematikës. Kjo është mënyra e
vetme për të dalë dikur nga pylli i errët i absurdit dhe injorancës ku gjendemi. Për ta mbyllur me
shprehjen e filozofit Slavoj Zizek, “deri
tani jemi përpjekur ta ndryshojmë
botën, por ka ardhur koha që ta interpretojmë edhe një herë.”