PF-- Nëse bëjmë një krahasim të të rinjve në momentin
kur u hap Tirana Ekspres dhe atyre në ditët e sotme, si
kanë ndryshuar ata në raport me përqasjen ndaj kulturës?
A.I-- Është rritur komuniteti i njerëzve që prodhojnë
kulturë. Tirana Ekspres ka arritur të gjenerojë një
komunitet të vogël njerëzish që prodhojnë kulturë
apo e shtyjnë atë përpara. Mund të përmend Dorjan Gjoni që po shtyn përpara jetën kulturore të mjedisit
social E Jona, Rubin Zeqo i cili ka qenë Drejtor i Projekteve Artistike të Tirana Ekspres tani ka ndërmarrë një
nismë interesante për të promovuar artistët e rinj me
ambientin e Tulla Culture Center, e të tjerë. Po të bashkohen dy artistë, do të prodhojnë një material kulturor
sepse sipas meje çdo njeri është një potencial, i pazbuluar në të shumtën e rasteve.
Qendra të tilla si Tirana Ekspres duhet të ketë në çdo
lagje të qytetit sepse kjo në rradhë të parë do të decrentralizonte pushtetin qëndror në lidhje me kulturë. Përveç
nxitjes së kulturës dhe ndërgjegjësimit për rëndësinë e
saj në shoqëri, rritja e numrit të tyre do të krijojë një
treg muzikor për të rinjtë artistë. Një artist duhet të jetojë dhe që të jetojë me punën dhe talentin e tij, duhet
të paguhet për atë çka ofron. Një treg i tillë mungon në
vendin tonë, çka sjell zhgënjim dhe pikërisht për këtë
shumica e artistëve që janë të vlerësuar, ikin jashtë vendit. Sepse në Shqipëri të jesh artist, të vishesh pak më
ndryshe se të tjerët do të quhesh ose gay ose i çmendur.
Sa më pak barriera të ketë një shoqëri, aq më shumë
mundësi dhe liri do të kenë artistët të shprehin veten, të
jenë ndryshe nga artistët e tjerë, të ketë konkurencë në
treg. Ne kemi shumë barriera si shoqëri dhe një artist
i vërtetë nuk ia lejon vetes barrierat apo kufijtë. Prandaj në Shqipëri ka shumë pseudoartistë që bëjnë asgjë
tjetër përveçse show, dhe pak artistë të vërtetë. Artisti i
vërtetë e ka lojën me vete jo me të tjerët. Nëse ai është
i talentuar, bota do ta zbulojë.
Në një shoqëri me 3 milionë kushurinj jemi shoqëri
shumë e mbyllur, kontributi i gjithësecilit është të jetë i
hapur. Shoqëria jonë është e vakët, e fjetur dhe ka nevojë për një shkundje që të zgjohet sepse ne nuk kemi
liri veprimi dhe jetojmë me frikën e të jetuarit. Prandaj
ekziston Tirana Ekspres dhe qendra të reja simotra të
saj të përbëra nga grupe njerëzish që vihen në lëvizje
për tjetrin pa asnjë qëllim përfitimi, përveç atij të përbashkët si shoqëri.