igurisht, ajo për të cilën institucionet e arsimit të lartë jopublik nuk
mund të krenohen sot është pa dyshim rritja e cilësisë. Por situata
nuk është gjithmonë ashtu si duket. Optika e drejtë e të parit të
problemit nuk është ajo që e objektivizon gabimin apo “të keqen
e madhe” tek kundërshtari. Universitetet private janë sot, sepse
mekanizmat e tregut të lirë e kanë imponuar një zhvillim të tillë
në mënyrë të tërthortë. Ashtu si çdo veprimtari tjetër private në
kapitalizëm. Universiteti privat si një institucion abuziv është krijuar
nga ligjërimi politik. Nuk mohohet fakti që në tregun e lirë, ka elementë
të jashtëligjshëm apo institucione të arsimit të lartë jopublik jashtë
çdo standardi ligjor apo cilësor. E megjithatë ka një dallim titanik
mes një universiteti privat abuziv në vetvete dhe ofertës për të
studiuar në një universitet jopublik. E para dënohet me ligj. E dyta
inkurajohet nga çdo qeveri që dëshiron prosperitet.
Sa më shpejt që politika ta bëjë ndarjen mes këtyre të dyjave, aq më
i shëndoshë do fillojë të jetë opinioni publik mbi këtë çështje. Optika
e drejtë në këtë rast, peshorja që gjen rrugën e ekuilibrit, është
diskutimi mes dy ofertave: asaj publike dhe asaj jopublike.
Nuk duhet harruar që situata e sotme e “mbirjes” së universiteteve
private ngado, ndoshta evazive por kurrë e palogjikshme apo e
paligjshme, e ka marrë patosin e vet nga hartimi i një sërë reformash
për liberalizimin e sistemit universitar dhe nga miratimi i një sërë
marrëveshjesh ndërkombëtare mbi njëhsimin e standardeve tona
me ato evropiane.
Pse? Sepse një sistem arsimor universitar që nuk të përgatit për t’u
përballur me sukses në profesion me mekanizmat e tregut te lirë,
është një sistem universitar që nuk shërben për asgjë në botën e
kapitalit. Dhe sigurisht që liberalizmi i tregut, zgjerimi i sektorit
privat, intensifikimi i investimeve të huaja, globalizimi i dijeve, nuk i
shkojnë shumë përshtat një sistemi sovjetik arsimi dhe edukimi.
Po përmend 3 etapa kyçe të reformës universitare për të treguar se
liberalizmin e arsimit e ka kërkuar pikë së pari koha dhe nevoja. Ne
vitin 1999 miratohet ligji i ri për arsimin e lartë, një ligj i cili legjitimoi
krijimin, e tashmë ndodhur të disa universiteteve shtetërore të
shkëputura nga ai i Tiranës, nëpër rrethe. Në vitin 2001 Shqipëria
nënshkruan marrëveshjen e Lisbonës për njohjen e diplomave dhe
në vitin 2003 Shqipëria bëhet zyrtarisht pjesë e Procesit të Bolonjës.
Por si mund të bëhesh pjesë e Procesit të Bolonjës me një administratë
tejet të ngathët të universiteteve shtetërore?! Nuk jam aspak
kundër universitetit shtetëror ideologjikisht, por mbështes idenë
që nëse në procesin e shpejtë të zhvillimit ekonomik, administrata
shtetërore e universitetit për shkaqet e sipërpërmedura prodhon atë
që “godet drejt e në zemër” studentin: uljen drastike të cilësisë së
mësimdhënies, sepse studenti ka të drejtën që brenda mundësive,
të zgjedhë alternativën më të mirë.
Kjo mjafton që të legjitimojë moralisht alternativat universitare
joshtetërore.
E vetmja mënyrë për universitetet që të rrisin cilësinë akademike dhe
standardet është të ndjejnë presionin e konkurrencës në një treg të
lirë.
Rritja e cilësisë nëpërmjet mekanizmave brenda administratës
shtetërore, ka mbi 20 vite që ilustron dështim.