Pa Fokus Fundviti | Page 7

Parathënie Të tregosh jetën e një njeriu të madh mbase nuk do mjaftonin mijëra faqe por shkrimtari i mirë e shfaq veten qoftë në një rresht apo fjalë. Të përjetosh fëmijërinë e varfër të Mo Yan në rreshtat e një interviste, ndjenjën poetike të Nerudës në një fjalim të thjeshtë, të futesh brenda një përralle të vërtetë si ajo e Mario Vargas Llosa, të humbësh në magjinë e lumturisë së Toni Morrison, të lexosh histori orienti nga Orhan Pamuk, të shikosh panoramën çnjerëzore të historisë së Herta Muller, të gjitha këto janë mundësi modeste që ky libër me pak faqe paraqet. Të duash Letërsinë, nuk do të thotë të lexosh poezi apo proza, nuk do të thotë të kesh dëshirë të shkruash apo të shkosh në një promovim të mërzitshëm libri, pasi magjia e letërsisë shkon përtej këtyre gjërave të zakonshme e të veçanta në të njëjtën kohë. Letërsia është pasqyra e jetës në një grumbull shkronjash që lëshojnë tinguj e krijojnë muzikën e ëmbël të dashurisë, shpresës, paqes dhe mirësisë njerëzore. Letërsia i shpalos të gjitha këto, jo me qëllim ndryshimin e botës sepse nuk e ka një forcë të tillë, por me magjinë e saj zbut zemrat e atyre që i kushtojnë pak minuta nga jeta e tyre. Letërsia asnjëherë nuk kërkon, jemi ne njerëzit që e kërkojmë atë, prandaj dëshira e një burri të madh si Alfred Nobel e kurorëzon letërsinë çdo vit me një përfaqësues të ri nëpërmjet çmimit NOBEL. Nëse ka disa ndjenja që mbizotërojnë tek letërsia dhe të dashurit e saj, ato janë fisnikëria dhe vetëflijimi, filantropia dhe dëshira për të dhuruar vlera, prandaj për këto dhe një mijë arsye të tjera, ky libër botohet falas për të gjithë ata që duan të lexojnë zanafillat reale të magjisë së Nobel-it në Letërsi, jetën e përvojat e dhimbshme e të bukura të shkrimtarëve dhe talentit të tyre në rrugën e pafundme të letërsisë, sa individuale aq edhe universale. Kryeredaktore Alketa Halilaj 7